Në finale të një procesi i cili zgjati plot shtatë muaj, Këshilli i Lartë i  Prokurorisë, përzgjodhi 15 pretendentët për në prokurorinë e posaçme, ata të cilët i konsideroi më të mirët profesionalisht për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.


Për të bërë pikëzimin dhe renditjen e garuesve për në strukturën e posaçme  “qeveria e prokurorëve” u bazua më së shumti në disa kritere thelbësore, të cilat i bëri të ditura Sandër Beci, relator i Komisionit të Posacëm.


Emrat janë listuar, jo më sipas rendit alfabetik, sic ndodhi në nisje të procesit, por sipas aftësive profesionale dhe kontributit që secili prej kandidatëve ka dhënë në sistemin e drejtësisë.


Listën e me të mirëve, e kryesojnë Altin Dumani, Anton Martini dhe Elisabeta Imeraj, të cilët gjatë karrierës së tyre kanë hetuar cështje mjaft të rëndësishme, sic janë grupe të organizuara kriminale, apo vepra penale të korrupsionit. Ndërsa vijon me Edvin Kondilin, Doloreza Musabelliun apo Klodian Brahon, për t’u përmbyllur me Besnik Mucin.

Gjatë procesit të vlerësimit, krahas dosjeve të përzgjedhura nga vetë kandidatët, Këshilli ka marrë në konsideratë edhe të dhënat nga raportimet mediatike, apo nga burime të tjera të hapura.

8d0abd82 60cb 4b1e 878d 0774b80d87af
(Lista e kandidatëve të SPAK)

Shtatë prokurorët e tjerë në garë, mes tyre edhe emra të shumëpërfolur, nuk mund të pretendojnë të paktën për momentin një karrige në SPAK.

Nga gara u përjashtua Donika Prela, drejtuese e komanduar e Krimeve të Rënda dhe paraardhësi i saj, Besim Hajdarmataj, njeriu që së fundmi ka patur në duar cështjet me të rëndësishme të këtij institucioni.

Megjithëse njëzëri të gjithë anëtarët e këshillit të lartë të prokurorisë, e konsideruan si moment historik renditjen e kandidatëve,, në fakt do të duhet ende kohë që SPAK të fillojë nga puna, përderisa do të duhet të përfundojë procesi i vettingut për secilin pretendent.

I vetmi që e ka kaluar me sukses të plotë testin e vettingut, është Arben Kraja nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa Besnik Muci i Krimeve të Rënda, pret të përballet me Kolegjin e Posacëm të Apelimit.
Referuar listës, shtatë kandidatë presin të përballen me shkallën e parë të vettingut, ndërsa gjashtë të tjerë janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur I Kualifikimit, por ende nuk dihet nëse Komisioneri Publik, do të ushtrojë ankim ndaj këtyre vendimeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb