Ministria e Mbrojtjes, përmes raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, njofton se situata deri tani paraqitet si më poshtë:
Akset Rrugore:
- Në qarkun e Dibrës, rruga e “Arbrit” është e pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura të borës. Firmat kontraktore janë duke punuar për hapjen e këtij aksi.
- Në bashkinë Dibër, disa qendra administrative si Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë janë të bllokuara nga reshjet.
- Bashkia Bulqizë ka bllokuar njësitë administrative Ostren dhe Trebisht.
- Në bashkinë Klos, rrugët dytësore që lidhin fshatrat me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër janë të bllokuara.
- Në bashkinë Mat, disa rrugë që lidhin fshatrat me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi janë gjithashtu të bllokuara.
- Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz është bllokuar në Qafë Ulëz për shkak të borës dhe akullit, si dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore.
- Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është bllokuar nga reshjet e borës, ndërsa rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë, është e vështirë për tu kaluar për shkak të dëborës.
- Në Vlorë, niveli i ujit në rrugët e qytetit po rritet, me 87 mm shi të rëna sot, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.
Gjatë ditës, janë duke u përdorur borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e kalueshme dhe për të hapur ato të bllokuara nga dëbora. Ministria e Mbrojtjes rekomandon përdoruesit e rrugëve të lëvizin me shpejtësi të kufizuar dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, si dhe të përdorin goma dimërore në akset me dëborë.
Portet:
- Në portin e Durrësit, lundrimi i anijeve të vogla dhe trageteve të linjës Durrës-Bari-Durrës është ndaluar. Ndërsa në portin e Vlorës, nuk janë raportuar probleme për lundrimin e anijeve.
Lumenjtë dhe Rezervuarët: Të gjitha lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave normale dhe nuk paraqesin rrezik, sipas raportimeve nga strukturat e mbrojtjes civile.
Sipas informacionit nga Instituti i Gjeoshkencës dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, reshjet e dëborës pritet të përfshijnë zonat Veriore, Verilindore, Qendrore dhe Juglindore gjatë pasdites së sotme dhe nesër. Reshjet pritet të shoqërohen me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe ngrica, që mund të shkaktojnë vështirësi në transportin rrugor.
Temperaturat minimale dhe maksimale pritet të arrijnë:
- Në bregdet: 5 / 12 °C
- Në vendet e ulëta: 5 / 10 °C
- Në vendet malore: -4 / 4 °C
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në veri dhe bregdet deri e fortë. Monitorimi dhe koordinimi me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore do të vazhdojnë për menaxhimin e situatave emergjente.