NGA: Vjollca Kongjoni
Rëndohet bilanci i energjisë elektrike në vend. Situatës së vështirë të tremujorit të tretë për shkak të thatësirës i shtohet edhe gjashtëmujori i parë i vitit. Ndërsa konsumi i energjisë është rritur prodhimi vendas ulet ndjeshëm. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë për një përkeqësim të bilancit në sistemin e energjisë në vend. Të gjithë hidrocentralet në vend, publike e private, kanë shënuar për gjysmën e parë të vitit 2017, një rënie të ndjeshme të prodhimit të energjisë, që në total arrin në 25.9%.

Kjo ulje e prodhimit ka bërë që për këtë periudhë eksportet e energjisë elektrike të ulen si asnjëherë më parë me 72% dhe importet në tregun energjetik të rriten me gati 40%, të dhëna këto të krahasuara me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ajo që bie në sy nga të dhënat e INSTAT është ulja e prodhimit nga hidrocentralet publike të cilat kanë realizuar vetëm 67% të totalit të energjisë. Përpos bilancit tregtar deficitar për janar-qershor, edhe humbjet në transmetim të energjisë kanë shënuar një rënie, ndryshe nga gjashtëmujorët e viteve të kaluara. Po kështu edhe në sistemin e shpërndarjes janë regjistruar humbje krahasuar me vitin e kaluar. E ndërkohë që prodhimi dhe humbjet kanë rezultuar me bilanc negativ, energjia elektrike është përdorur më shumë nga konsumatorët familjarë dhe jo familjarë. Arsyet e bilancit negativ të sektorit energjitik i jep një tjetër raport i publikuar pak ditë më parë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ku edhe Shqipëria bën pjesë.

Në analizën e ekspertëve të sekretariatit, pavarësisht përmirësimit të ligjeve dhe përafrimit të tyre me BE, Shqipëria nuk ka arritur t’i zbatojë ato në praktikë. Edhe pse sot vendi ynë ka një model të ri në letër për tregun e energjisë, sipas sekretariatit ka ende çështje që duhet të rishikohen me urgjencë. “Modeli i tregut përfshin strategjinë për promovimin e likuiditetit bazuar në të ashtuquajturat zonat e import-eksportit dhe masa të tjera të përkohshme deri në zbatimin e plotë të modelit. Ky i fundit parashikon edhe pjesëmarrjen e detyrueshme të lojtarëve kryesorë në mënyrë graduale. Në të njëjtën kohë vendimi i Këshillit të Ministrave që vendos Shërbimin e Detyrueshëm Publik pengon hapjen e tregut dhe likuiditetin e tregut shqiptar të energjisë. Duhet të rishikohet në mënyrë urgjente” thuhet në raport. Kritikat vijojnë edhe ndaj kompanive shtetërore të energjisë si KESH dhe OST. Sipas sekretariatit marrëveshja mes dy operatorëve dhe procedurat e prokurimit të energjisë për mbulimin e humbjeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes kanë shkelur ligjin e komunitetit të energjisë dhe ligjin kombëtar. Po kështu Shqipërisë i tërhiqet vëmendja edhe për mungesën e harmonizimit të disa ligjeve me direktivat e sekretariatit lidhur TVSH-në. Nuk është zbatuar asnjë rregull i përcaktuar në direktivë, thuhet në raport, për shmangien e taksimit të dyfishtë duke çuar kështu në prishje të konkurrencës. Për të gjitha shkeljet, sekretariati paralajmëron marrjen e masave ndaj Shqipërisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb