Nga: VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Nga një vrojtim i kryer nga ekspertë të Bankës së Shqipërisë në 16 zona të ndryshme të vendit ka rezultuar se familjet shqiptare kanë paraqitur një përkeqësim të gjendjes së tyre ekonomike. Pjesa më e madhe e të anketuarve është përgjigjur se në gjysmën e dytë të vitit të kaluar kanë marrë borxhe për të jetuar. Ky përkeqësim ka ardhur si pasojë e uljes së të ardhurave nga reduktimi i numrit të anëtarëve të punësuar në familje. Edhe pritshmëritë e tyre për gjashtëmujorin e parë të 2015 janë pesimiste.

Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar familjet shqiptare paraqisnin një gjendje financiare të përkeqësuar.

Nga një vrojtim i kryer nga ekspertë të Bankës së Shqipërisë në një kampion prej 1200 familjesh shqiptare pjesa më e madhe e tyre është përgjigjur se është në borxhe. Në raportin e stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e dytë të 2014-ës të prezantuar nga ekonomistë të Bankës Qendrore u tha se shkaku i përkeqësimit të buxhetit të familjeve ishte ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve. Sipas këtij vlerësimi përkeqësimi i situatës financiare të familjeve gjatë kësaj periudhe lidhet me nivelin e punësimit ku numri i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhurat rezulton në rënie me 1,8% krahasuar me pjesën e parë të vitit 2014 dhe në një reduktim me 5,5% krahasuar me vitin 2013.

Ajo që bie në sy sipas këtij vrojtimi të BSH, i pari në vend i këtij lloji, është fakti se familjet shqiptare kanë marrë borxh me qëllim konsumin e përditshëm, ndërkohë që kanë ulur huamarrjen për blerje banesash.

Trishtues është fakti sipas këtyre treguesve se edhe pritshmëritë për të ardhmen janë pesimiste. 88% e familjeve të intervistuara në 16 zona të ndryshme të vendit janë përgjigjur se nuk presin asnjë ndryshim të pakët edhe për 6 mujorin e parë të 2015-ës, madje e shohin gjendjen financiare të tyre në përkeqësim.

Gjatë prezantimit të raportit të stabilitetit financiar për pjesën e dytë të 2014-ës ekspertët e bankës shpjeguan ne takimin me gazetarët se ndonëse sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, ky sektor është i ekspozuar ndaj rrezikut të kredive të këqija, kryesisht nga tregu i pasurive të paluajtshme. Rreziqe të tjera të ekonomisë në vend mbeten dhe papunësia dhe zhvlerësimi i lekut.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb