Melania Trump u shfaq në publik për herë të parë pas një kohe relatisht të gjatë. Ajo mori pjesë në punimet e Konventës së Republikanëve, përkrah kandidatit për President, Donald Trump.

Melania nuk u pa në publik as ditët e para pas atentatit ndaj Trump, ndonëse në reagimin e parë që bëri dënoi ngjarjen dhe bëri thirrje për bashkimin e amerikanëve kundër akteve të dhunës.

Në Milwaukee, Melania përshkoi përmes delegatëve, për t’u ngjitur më pas në podium përkrah Trump. Donald Trump pranoi emërimin zyrtar të Republikanëve si kandidat për president të SHBA në zgjedhjet e nëntorit. Trump mbajti fjalimin e gjatë para delegatëve dhe anëtarëve republikanë, duke u shprehur se ai do të rivendosë paqen globale. Trump foli edhe për atentatin duke thënë se ishte dëshirë e zotit që ai të shpëtonte.

Të shtunën e kaluar, Amerika u trondit nga atentati që iu bë Trump në tubimin elektoral të Butler, në Pensilvani. Predha nga arma e 20-vjeçarit Thomas Mattheë Crooks e preku kandidatin republikan në veshin e djathtë, duke i shpëtuar vdekjes për disa milimetra. Plumbat ndërkohë i morën jetën një prej simpatizantëve të Partisë Republikane në mitingun e Trump, ish-shefi i shërbimit zjarrfikës, i cili mbrojti bashkëshorten dhe vajzën nga plumbat që vinin nga çatia e një ndërtese rreth 130 m larg.

Njësia speciale e snajperistëve ekzekutoi pas të shtënave atentatorin 20-vjeçar. Motivet e ngjarjes ende nuk dihen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: