Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, në të cilën u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.
Në shënimin e përvjetorit të kësaj ngjarjeje, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ngjarjen e Reçakut e ka cilësuar moment historik.

Haradinaj është shprehur tejet kritik ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar sa i takon hetimit të vrasjes së shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë.

“Kurrkush Kosovës nuk ja ka dhënë asnjë certifikatë me i tregu se si kanë vdekur ata njerëz. Së pasi si u morën nga Krusha, nga Meja nga Berishët në Suharekë nga Abria nga Studimja, si u morën? Kush i mori? Kush i çoi? Çfarë i gjeti ata para se me vdekë? A ua morën ndonjë organ? Ai i vranë apo i dhunuan? Asnjë të dhënë nuk ia ka dhënë këtij vendi dikush. Nuk na ka dhënë askush një shpjegim, një certifikatë të thjeshtë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe Kosovën, por sipas tij, ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit të Kosovës, shkruan rel.

“Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social, Facebook.

Homazhe në memorialin përkujtimor në Reçak, kanë bërë edhe përfaqësues të partive politike në Kosovë dhe qytetarë të shumtë. Vrasja e civilëve shqiptarë në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb