Është përkujtuar më Tiranë Liri Lubonja, ish gazetare dhe e përndjekur politike. Veç leximeve nga vepra e saj me kujtime, i biri, shkrimtari Fatos Lubonja tregoi episode takimesh e letrash
Liri Lubonja bënte një rrugë të gjatë për të takuar të birin, Fatos Lubonjën, në burgun e Spaçit ku ai vuante dënimin gjatë regjimit komunist. 5 kilometra zgjaste udha në këmbë nga Repsi, deri në kodrën ku ishte miniera e burgu i Spaçit.
“Mamaja kishte bërë gjithë atë rrugë për të më takuar vetëm 10 minuta. Ne takoheshim në hyrje të Spaçit dhe kishte një ngurtësim, një ngurtësim se nuk ishe vetëm, as në mall nuk ishte vetëm”, thotë Fatos Lubonja.
Një homazh për Liri Lubonjën u mbajt në Tiranë ndërsa u lexuan pjesë nga libri i saj me “Larg dhe mes njerëzve-Kujtime internimi 1973-1990” referuar kohës kur i shoqi dhe i biri u dënuan si armiq të popullit. Nga ajo kohë, i biri, shkrimtari Fatos Lubonja, kujton letrat prej saj.
“Unë e kam zbuluar mamanë si shkrimtare, nëpërmjet letrave që më ka çuar në burg mua. I ka shkruar mirë e me shumë dashuri. Ka qenë e jashtëzakonshme dhe prodhimtare. E shtynte dashuria. Në 17 vite burg që isha unë, më shkruante një letër në javë 4 faqe”, kujton ai.
Kohët, kujton Lubonja, ishin të vështira. Tensionet dhe frika po ashtu. Liri Lubonja udhëtonte nga fshatrat e Lezhës ku ishte e internuar për të takuar të birin.
“Më erdhi për të qarë kur lexova pjesën e parë se takimet ishin në një presion të madh, se kishte tension edhe jashtë. Pas grupit të liberalizmit ku u futem në burg ne, babai, ish-vjehrri Fadil Paçrami e shumë të tjerë, erdhi ushtria e ekonomia. Spaçi nga 400 vetë u bë 1500 vetë dhe ky është një nga takimet e para”.
Në letra, e wma i tregonte Fatos Lubonjës për fëmijët, për jetën që bënte, përshkruante zonën e njerëzit. Vetë Fatosi, kujton edhe një takim me të atin në Spaç.
“Pata edhe një takim me babain në Spaç pasi u lirua babai. Unë u habita se ai kishte aq shumë emocion sa nuk fliste. Në fillim nuk po e kuptoja, por ai po përpiqej të mos qante”, tregoi ai.
Dënimi i familjes Lubonja nisi në vitin 1973 si pjesë e grupit të ashtuquajtur liberal. Ndërsa familja qe e internuar në Torovicë dhe Fishtë të Lezhës, Todi (ish drejtor i televizionit shqiptar) dhe Fatos Lubonja (që ju gjetën shkrime të fshehura) u dënuan me burg.