Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, tha të enjten se planifikon të kthehet në vend përkundër kërcënimeve kundër tij dhe familjes. Duke folur para mediave pas takimit me presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro, Guaido tha se nuk ka asnjë mundësi të dialogut me qeverinë e presidentit të kontestuar Nicolas Maduro, pa e përfshirë në bisedime edhe çështjen e zgjedhjeve.

Ndërkaq presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro tha se shpreson në rikthimin e një Venezuele “të lirë, demokratike dhe prosperuese”. Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë dy rezoluta të kundërta për Venezuelën.

Njëra është e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe mbështet liderin e opozitës Juan Guaido dhe tjera nga Rusia që mbështet presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro. E para do të votohet rezoluta e SHBA-së dhe sipas gjitha gjasave do të përballet me veton e Rusisë. Votimi është paraparë të bëhet të enjten në mbrëmje.

Nuk është e qartë nëse edhe rezoluta e Rusisë më pas do të marrë nëntë votat “pro” për të kaluar në Këshillin e Sigurimit. Rezolutat rivale reflektojnë ndarjet e thella në Këshillin e Sigurimit lidhur me konfliktin politik në Venezuelë, vend ky që po përballet me kolapsin ekonomik dhe një krizë humanitare.

Uashingtoni dhe Moska janë duke përkrahur palë të ndryshme në shtetin e Amerikës Jugore. Shtetet e Bashkuara përkrahin liderin opozitar, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten president të përkohshëm derisa Rusia është e lidhur me Maduron.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: