Këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri dhe Arif Dushaj ishin të ftuar në programin “Gëzuar me ju” këtë të diel, ku përveç performancave shumë të bukura që dhuruan, folën edhe për jetën e tyre profesionale dhe personale.
Perlat Sheqeri dhe Arif Dushaj zbuluan se kanë 14 vite që këndojnë së bashku. Perlat Sheqeri tregoi se ka nisur të këndojë në moshën 5-vjeçare, kur tezja i ka dhuruar një çifteli. Ai tha se ka qenë vetëm 6 vjeç, kur ka mundur të këndojë një këngë, e cila ishte e gjatë 45 minuta.
Perlati prej vitit 1993 ndodhet në Tiranë. Ai është i martuar dhe ka dy djem, të cilët kanë mbaruar Liceun Artistik, por tashmë ndodhen jashtë vendit.
Këngëtari Arif Dushaj tregoi se prej disa vitesh jeton në Londër së bashku me bashkëshorten e tij. Ai tha se ka një lokal në Londër “Piano Bar”, ku performohet muzikë shqiptare.
Moment i veçantë në program ishte kur poeti dhe muzikologu Munir Hoxha recitoi një nga poezitë e tij, me titull “Ma kthe lotin që më ke borxh”, vargje tejet të emocionuese.
Mbrëmja në “Gëzuar me ju” u mbyll bukur me një kolazh dasme, ku pjesë e saj ishte edhe kënga e njohur “Oj lulja e blinit”, për të cilën artistët thanë se këndohet nga shumë këngëtarë, por jo të gjithë e dinë se e ka shkruar Gjovalin Dushaj, i cili ishte i pranishëm në program.