Një përleshje e armatosur është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Kosovë, mes policisë dhe disa personave. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Prishtinë. Ndonëse si fillim u raportua për një person të vrarë dhe një tjetër të plagosur, policia hodhi poshtë këtë version.


“Mund t’ju konfirmoj qe sonte gjatë realizimit të detyrave operacionale nga njësitet policore ne lagjen “Përroi i Njelmët” nga rrethi i “Ismetit” në drejtim të “Zonës Industriale” është vërejtur një veturë të dyshimtë me targa të njohura për policinë dhe të njëjtës nga zyrtarët policor i është dhënë shenjë për tu ndalur. Pasi te dyshuarit kanë kuptuar se do të ndaloheshin nga Policia, kanë filluar të ikin, në drejtim të “Zonës Industriale”. Njësia Policore i është vënë në ndjekje, ku gjatë ndjekjes, të dyshuarit me veturën e tyre disa here kanë goditë veturën policore ku si pasoj e kësaj zyrtaret policor kane pësuar edhe lëndime. Gjatë ndjekjes njëri nga të dyshuarit ka drejtuar një armë drejt policëve, dhe zyrtari policor është detyruar të shtie me armë në drejtim të të dyshuarave. Në asistencë kanë dale edhe njësi të tjera te PK-së. Deri në këto momente nuk raportohet për të plagosur apo viktima tjera”, tha për Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.


Ndërkohë, në një automjet të braktisur policia gjeti një revole të kalibrit 7.65 mm me 6 fishekë, një shufër metalike, një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë, si dhe disa telefona celularë.