Policia pakistaneze ka njoftuar se së paku dy njerëz janë vrarë gjatë të shtënave mes forcave kufitare të Indisë dhe Pakistanit në orët e vona të së dielës në rajonin e kontestuar të Kashmirit.

Raportohet se ushtarët indianë kanë gjuajtur me armë përgjatë Vijës së Kontrollit, e cila në fakt është kufi mes rajonit të Himalajeve, të administruar nga India, me rajonin Kotli, të kontrolluar nga Pakistani.

“Së paku dy njerëz janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë hedhjes së predhave nga forcat indiane”, tha Mihammad Qasim, zyrtar i policisë lokale. Thuhet se personat e vrarë janë një grua dhe një djalë.

Banorët myslimanë të Pakistanit dhe hindusët e Indisë i kanë zhvilluar tri luftëra mes vete që nga fitimi i pavarësisë nga Britania e Madhe më 1947, dy prej të cilave kishin nisur pikërisht për shkak të Kashmirit.

Vendimi i muajit të kaluar i qeverisë indiane për t’ia hequr Kashmirit statusin special kushtetues dhe dërgimi i mijëra trupave në këtë rajon kanë nxitur tensione të reja mes dy rivalëve të vjetër të Azisë Jugore.

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, kërkoi nga fuqitë botërore që të ndërhyjnë në këtë konflikt në mënyrë që të shmanget lufta e drejtpërdrejtë mes dy fuqive bërthamore, shkruan “Free Europe”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb