NGA MARSELA KARAPANCO

TIRANE– Partia Socialiste lë në pritje Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke sjellë përplasje institucionale. Përmbarimi Shtetëror nuk ka mundur dot të ekzekutojë vendimin për lirimin e godinës së Partisë Socialdemokrate për t’ia rikthyer atë pronareve të ligjshëm. Por po sot, Policia Bashkiake ka përcjellë përmes një shkresë zyrtare, pamundësinë për të asistuar në ekzekutim, duke sjellë shtyrjen e vendimit.

Pak minuta më pas, ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, nëpërmjet një postimi në “Faceboook”.

Ai shkruan se:
“Na pëlqen ose jo vendimi i gjykatës, për Shërbimin e Përmbarimit kjo nuk vlen! Ky shërbim e zbaton atë me çdo mjet ligjor! Institucionet (vendore dhe qendrore) që i kanë në dorë këto mjete thjesht janë te detyruara të lejojnë përdorimin e tyre, në ndihmë të Përmbarimit! Nëse përmbarimi nuk mbështetet, vendimi nuk zbatohet, ligji shkelet, shteti përdhoset!”

Sakaq, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, i kontaktuar nga “News 24” tha se në atë godinë kanë hyrë me vendim qeverie, e po me vendim qeverie do të dalin, në respekt të ligjit. “Kush është përfaqësues qeverie, të flasë me gjuhën e ligjit, e të mos flasë me emocione dhe me shfaqje”, u shpreh ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb