TIRANË- Një përplasje e fortë ka ndodhur sot mes përmbarimit dhe artistëve në Cirkun e Tiranës.

Kjo, pasi Përmbarimi ka shkuar për të ekzekutuar vendimin për sekuestrimin e tokës ku është ngritur çadra e Cirkut Kombëtar por artistët e kanë kundërshtuar këtë vendim, pasi sipas tyre nëse iu merret kjo pjesë (rreth 400 metra katrorë) gjithë vendi tjetër është jofunksional.

Përmbarimi po tenton të çmontojë cadrën e cirkut për të ekzekutuar një vendim gjykate që i ka dhënë të drejtë palës tjetër por sipas artistëve përmbarimi nuk ka një leje të posaçme nga Ministria e Kulturës

Më pas përmbaruesit janë detyruar të hapin derën e cirkut me dhunë, ndërsa artistë janë ngujuar brenda çadrës. Kjo gjë i ka detyruar përmbaruesit të ndalojnë, por nuk dihet ende se si do të procedohet.

Artistët e Cirkut kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të vendimit në rrugë institucionale. Ata kanë paralajmëruar se do e mbrojnë me gjak trashëgiminë.

“Jo nuk kemi qenë në dijeni. Cirku Kombëtar nuk ishte njoftuar për datën e sotme. Ne kishim një sinjal në rrugët tona që në datë 6 mund të vinin. Jemi këtu për të mbrojtur këtë gjini arti unikale në Shqipëri, këtë trashëgimi.

Nuk kanë për tu lanë. Me gjak do e mbrojmë”, pohuan artistët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: