Një fitore e çmendur e Kastriotit, një përmbysje e madhe ndaj Kukësit të vendit të dytë, duke i dhënë shpresa ekipit krutan për mbijetesë dhe shemb përfundimisht ëndrrat e verilindorëve për titullin kampion. Në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, vendësit kanë zhvilluar një pjesë të dytë të luftuar dhe kanë merituar në fund suksesin, ndërsa nuk munguan dhe situatat e tensionuara mes lojtarëve.

Kukësi është i pari që jep goditjen. Vasil Shkurtaj i rrëmben topin Hysein dhe me të djathtën mposht Cekrezin në minutën e 34-ët për epërsinë e skuadrës mike, e cila mbyll pjesën e parë në avantazh.

Në fraksionin e dytë Kastrioti do të bëjë një përmbysje të çmendur. Fillimisht do të barazojë Roxher në minutën e 63-të me topin që godet shtyllën e më pas shpinën e Frashërit për të përfunduar në rrjetë. Krutanët hidhen në sulm, ndërsa Kukësi kërkon të shfrytëzojë kundërsulmin, por ata që do të gjejnë rrugën e rrjetës janë sërish të zotët e shtëpisë, me Edison Ndrecën që me një të majtë në hyrjë të zonës, thyen Frashërin në shtyllën e tij për fitoren e Kastriotit, fitore që ndez shpresat e krutanëve për mbijetesë dhe largon Kukësin nga titulli kampion!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb