LEZHE – Dhjetëra banesa që ndodhen përballë portit në Shëngjin janë përmbytur, si pasojë e shfaqjeve të burimeve nëntokësore masive. Si pasojë e reshjeve që kanë përfshirë Lezhën prej dy ditësh, uji ka vërshuar brenda shtëpive në Shëngjin, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Ndërkohë, autoritetet bëjnë të ditur se qindra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Konkretisht, sipas Ministrisë së Bujqësisë, në zonën e Zadrimes janë rreth 300 ha nën ujë, në Zballdre-Torovicë janë 400 hektarë të përmbytura, në zonën e Bregut të Matit dhe Barbulloje 80 hektarë dhe në zonën e Kurbinit janë përmbytur rreth 60 hektarë tokë.

Mëngjesin e sotëm reshjet e shiut janë ndalur, dhe uji ka filluar të tërhiqet. Sipas meteorologëve, ditët në vazhdim parashikohet të jenë me mot të kthjellët.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: