MAQEDONI- 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në 3 fëmijë dhe 2 të moshuar. Qytetarë nga zonat e dëmtuara kanë denoncuar në televizionin Alsat për katër viktima në fshatin Shipkovicë, dy fëmijë dhe dy të moshuar. Ndërkaq për një fëmijë tjetër mësohet të ketë humbur jetën në fshatin Reçicë. Por lajmi nuk është konfirmaur ende zyrtarisht.

Shkak për përmbytjet u bë shiu i rrëmbyeshëm që ra sot pasdite në rajonin e Tetovës, i cili ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme. Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar panik dhe frikë tek qytetarët. Pas daljes nga shtrati të lumit Shkumbin, shumë banorë që jetonin aty pranë janë evakuuar. Si pasojë e situatës tejet të rënduar nga moti, Kryetarja e Komunës, Teuta Arifi ka mbledhur Shtabin e Emergjencave, ndërsa i kërkohet qytetarëve të ndërpresin lëvizjet e panevojshme.

Sipas mediave vendase mësohet se gjithë qyteti dhe rajoni i Tetovës ndodhet nën ujë ndërsa ka vërshim të lumit Shkumbin. Reshjet e rrëmbyeshme kanë shkaktuar edhe rëshqitjen e dheut. Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim po punon në terren dhe apelonë deri te banorët e rajonit të Tetovës të zvogëlojnë lëvizjet, kryesisht me makina. Më së shumti në rajonin e Tetovës janë prekur fshati Reçicë e Vogël, ku rruga 172, thuajse është përmbytur komplet. Situatë e keqe është edhe në Malësinë e Sharrit, konkretisht në Shipkovicë, si dhe në fshatin Proj. Në Reçicë të vogël, uji ka depërtuar në të gjitha katet e para dhe përdhese të shtëpive.

Banorët po mundohen privatisht të ndihmojnë njëri-tjetrin, pasi nga Komuna dhe Ndërmarrja publike ende nuk kanë ndihma. Përmbytje ka edhe në rajonin e Tearcës. Fshati Dobrosht është përfshirë gjithashtu nga uji, madje, ka rrëshqitje të dheut nga mali. Nga ana tjetër, dëme tarracash ka edhe nëpër qytet, kurse më në krizë, është lagja e poshtme e Tetovës, ku nga vërshimet e ujit janë mbledhur gurë dhe dru, që kanë përfunduar në shtëpitë e kësaj lagjeje.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: