* Kanalizimet të amortizuara, Mazniku: Prishen ndërtimet mbi kolektorë
* Mziu: Qeveria të ndërhyjë për pastrimin e Lanës

TIRANË- Emisioni “Njerëz në fokus” i gazetares Ola Bruko trajton sot një temë shumë të ndjeshme sidomos për qytetarët e Tiranës, përmbytjet. Pak ditë pasi Tirana u përball me një situatë jo të zakonshme nga reshjet e shumta që sollën përmbytje në disa rrugë, Prefekti i Qarkut, Sadi Vorpsi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku flasin për masat e marra duke i kthyer përgjigje njëkohësisht shqetësimit të qytetarëve nëse do të përmbyten sërish.

Prefekti Sadi Vorpsi duke evidentuar problematikën tha se rrjeti i kanalizimeve në kryeqytet është i amortizuar. Ai theksoi se problem janë kolektorët e ujërave të zeza si dhe ndërtimet pa leje në lumin e Tiranës.

“Rrjeti i kanalizimeve i amortizuar. Rrjeti i kanalizimeve është i amortizuar. Problem, kolektorët e ujërave të zeza. Problem edhe ndërtimet pa leje në lumin e Tiranës”, tha Vorpsi.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se për zgjidhjen e problemit sidomos me kolektorët do të ketë edhe prishje të ndërtimeve që janë bërë mbi to.

“Edhe me 3 milimetër shiu dhe disa zona do të përmbyteshin. Ka disa zona që kanë probleme jo vetëm me kapacitetin ujëmbledhës anës rrugës, por edhe të lidhjes me kolektorët e mëdhenj. Rruga “Dritan Hoxha”, një kolektor i madh ka ngelur pezull, pasi disa shtëpi janë të legalizuara mbi kolektor. Çështja është drejt zgjidhjes. Do gjejmë një zgjidhje. Ato shtëpi që duhet të prishen do të prishen”, tha Mazniku.

Ai evidentoi 8 zona që kanë probleme me kolektorët. |Zonat që kanë probleme me kolektorët janë 8 zona. Zona që kanë probleme me kanalet janë më shumë. Në rrugën “Don Bosko” kanalizmi plotësisht i bllokuar. Uji e kishte të pamundur të kalonte pasi kishte hekura, plastikë e lloj-lloj gjërash. Qytetarët të mos hedhin gjëra në rrugë.

Ne po pastrojmë rrugët më problematike dhe që kanë shumë kohë që nuk është bërë mirëmbajtje. Situata është më e mirë se ç’ishte në korrik dhe në gusht dhe më e mirë se dy javë më parë”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Për të parandaluar përmbytjet Vorpsi tha se, “Kam mbledhur çdo 3 muaj emergjencat civile për të mos u gjetur para situatave të vështira. Qeverisjes vendore i bëj thirrje të marrë masat, duhen marrë masat jo vetëm për rastin konkret, problematika me kolektorët por edhe ujëmbledhësit se edhe ato janë një pikë e ndjeshme”.

Mazniku sqaroi më tej se do të fillojë puna për prishjen e ndërtimeve sipër kolektorëve, ndërsa shtoi se do niset me ato projekte që janë më afër realizimit. Ai premtoi banesa sociale për banorët që do iu prishen shtëpitë, ndërsa tha se janë 8 zona problematike me ndërtime pa leje

“Do fillojmë me ato që janë më afër mundësisë së realizimit, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtime mbi kolektor. Do ju ofrohen banesa sociale familjeve që kanë ndërtuar mbi kolektor, për ta nuk mund të lejojmë të sakrifikohen mijëra familje të tjera që përmbyten si pasojë e ndërtimeve të tjera”.

Vorpsi më tek tha se zona e Bregut të Lumit ka qenë i rrezikuar nga lumi Tirana por familjet që janë pranë sot nuk rrezikohen.

Ndëra Mazniku nga ana e tij sqaroi se: “Punimet përfundojnë për 1 vit e 3 muaj, megjithatë edhe nga fjala bregu i lumit nuk është në adresë. Ne si popull themi e mori lumi… pra edhe nga ana e traditës asnjëherë nuk ka qenë ide e mençur të ndërtosh në breg të lumit. Padyshim që një sër faktorësh sjellin situata të papritura. Në mijëra vjet njerëzit i janë ruajtur shiut”.

Mazniku tha se të gjitha strukturat tona institucionale nuk punojnë mjaftueshëm. “Shoqëria është gatuar në mënyrë që kur ndodhin këto le të ndodhin dhe do ti zgjidhim kur të ndodhin. Por përgatitja institucionale për t’u paraprirë këtyre krizave është paktë.

Secili nga aktorët duhet të bëjë pjesën që i takon edhe qytetarët pjesën e vetë”, theksoi Mazniku. Ndërsa prefekti Vorpsi u shpreh se reforma e re administrative-territoriale do t’u japë zgjidhje shumë problemeve.

MZIU: QEVERIA TË BËJË PASTRIMIN E LANËS 

I ftuar në emision ka qenë edhe kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i cili ka folur për përmbytjet në këtë njësi vendore. Mziu tha se situata ka qenë problematike në Laknas, në Bathore, në zonën e bregut të lumit dhe kërkoi ndërhyrjen e qeverisë, pasi sipas tij situata nuk mund të zgjidhet me buxhetin e Bashkive.

“Me këto reshje u krijua situatë problematike në Laknas. Situata në të cilën u përballëm ishte komplekse dhe ishin të pamundura financimi i punimeve me fonde të bashkisë. Është zona e Laknasit, zona e bregut të lumit, pjesën e Bathorës që ka një kolektor të hapur, zona e Fruti-Kulturës ku është një tjetër kolektor i hapur. Problemet do të jenë prezente deri në një investim rrënjësor në lumin e Tiranës. Nuk e ka as bashkia e Kamzës dhe as e Tiranës buxhetin, mund ta bëjë vetëm qeveria. Qeveria të bëjë pastrimin e Lanës”, tha Mziu.

Në emision kanë folur edhe banorët e Laknasit që janë prekur nga përmbytjet. Ata janë ankuar për mosekzistencën e shtetit dhe thanë se familjet jetojnë me frikë. Banorët kërkuan pastrimin e Lanës.

Banor: A ka shtet? Jetojmë me frikën e fekaleve të Tiranës. Na shpëtoni. Mendoni për nxënësit. Bashkitë të bashkëpunojnë, e të vihet dorë për këtë komunitet që paguan taksat. Mos të merren e ka Kola e ka Leka.

Banor: Turp për këtë shtet. Familjet tona jetojnë me frikë. Askush se ka çarë kokën për ne. Ose hajeni pastroni Lanën ose na thoni të dalim me kazma e lopata. Projekti që ka bërë Mziu nuk i shërben komunitetit. Po nuk u pastrua lumi i Tiranës nuk ka zgjidhje.

Kryebashkiaku Mziu tha se Bashkia e Kamzës nuk ka buxhet për pastrimin e lumit të Tiranës duke thënë se kjo është kompetencë e qeverisë.

“Kam 1.8 km nga Lana, 26 km janë në bashkinë e Tiranës. Sa pastrim ka bërë Bashkia e Tiranës? Të gjithë lumenjtë dhe kolektorët e hapur janë pjesë e financimit të qeverisë qendrore”, tha Mziu.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb