BERAT- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ishte në Batalionin e Këmbësorisë në Poshnje në Berat, ku është takuar me trupat e përfshirë në përballimin e situatës së krijuar si rezultat i reshjeve të ditëve të fundit në disa zona në jug të vendit.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke iu drejtuar efektivit të rreshtuar në sheshin kryesor të këtij reparti, ndër të tjera, u shpreh: “Doja t’ju falënderoja për punën që keni bërë dhe për përkushtimin e madh që keni treguar gjatë operacionit për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura, duke vënë edhe jetën tuaj në rrezik. Falënderimi im, i kryeministrit Rama dhe i Qeverisë, nuk mjaftojnë, por ju falënderojnë të gjithë qytetarët që ju i keni ndihmuar në këto ditë tepër të vështira për ta”.

Më tej, Kodheli theksoi se, “ju treguat që jeni pjesa më e mirë e shoqërisë, ju mbani veshur një rrobë që është me e bukura në botë dhe keni një mision tepër fisnik. Ndjehem krenare personalisht dhe jam mirënjohëse për gjithçka keni bërë dhe do bëni edhe në të ardhmen”.

Ministrja ka vijuar me një takim me drejtuesit e këtij operacioni të realizuar nga Forcat e Armatosura. Fillimisht raportoi komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ylber Dogjani, për punën e bërë nga trupat dhe mjetet e FA-së përgjatë ditëve të operacionit në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura nga reshjet si në Vlorë, në Fier, Berat etj.
Ndërsa kolonel Ardian Bali, shefi i Shtabit të Komandës Mbështetëse, nënvizoi ndërhyrjen e bërë nga trupat dhe mjetet e FA-së për mbrojtjen dhe sigurinë e digës së rezervuarit të Manskurisë në zonën e Golemit të Kavajës, të digës së Nartës në Vlorë, si dhe për ngritjen dhe sigurimin e argjinaturave të tjera.
Nga ana tjetër, kolonel Petrit Dajlani, komandant i Qendrës Stërvitore në Bunavi, theksoi se, për banorët e evakuuar nga përmbytjet janë vënë në dispozicion mjediset e këtij reparti për t’u strehuar dhe jetuar në kushte normale.
Komandanti i Batalionit të Poshnjes, nënkolonel Gëzim Marku, pasi vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes të gjitha strukturave, informoi ministren Kodheli për angazhimin e efektivit të këtij batalioni në këtë operacion humanitar.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bazo, falënderuan të gjithë efektivat e FA-së të përfshirë në këtë proces dhe vlerësuan se zinxhiri i komandimit ka funksionuar më së miri përgjatë gjithë ditëve të operacionit. Kodheli theksoi se, situata u përballua me sukses, por gjithashtu kërkoi prej tyre që të evidentojnë mangësitë dhe problematikën e hasur me qëllim që të mund të merren të gjitha masat për riparimin e tyre dhe për përballimin me sukses të situatave të tjera të ngjashme që mund të përsëriten në të ardhmen.

Në operacionet e zhvilluara këto ditë, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 414 trupa, 63 mjete transporti, 2 qendra mobile, 1 ambulancë, 2 zjarrfikëse, 6 motorbarka, 10 pompa thithëse etj. Gjithashtu në këtë operacion të emergjencës civile një kontribut të veçantë kanë dhënë edhe trupa dhe mjete nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb