TIRANE – Kryeparlamentari Ilir Meta ka shprehur shqetësim për situatën e vështirë me të cilën po përballen banorët në Vlorë dhe Fier, ku shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje masive.

Në një deklaratë për mediat, pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali, Meta theksoi rëndësinë që euforia e kualifikimit në kampionatin europian të futbollit të mos zbehë vëmendjen ndaj problemit shqetësues të përmbytjeve.

“Situata është shqetësuese, pritet edhe ne ditët e ardhshme të ketë mot të vështirë. Shpresoj që gëzimi i këtij kualifikimi të merituar të mos çojë në zbehjen e vëmendjes ndaj një problemi real dhe mjaft shqetësues që ndeshen qytetarët në jug të vendit. Shpresoj se do të merren të gjitha masat e domosdoshme.”- deklaroi Meta.

Pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi  me 40 shoqatat shqiptare në Itali, kreu i Kuvendit tha se vota e emigrantëve është një e drejtë bazike që iu mundëson atyre të shprehen për të ardhmen e vendit.

“Shqiptarët në Itali, por dhe kudo në Evropë e botë kanë dhënë e japin një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin, progresin dhe integrimin e vendit tonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe në të ardhmen. Ndaj, shpreh vullnetin tim për të drejtën e votës së emigrantëve kudo ku ata jetojnë, që të kenë të drejtë bazike për t’u shprehur për të ardhmen e vendit të tyre, por njëkohësisht edhe për të mbështetur krijimin e gjithë institucioneve që do ta forconin më tej dialogun mes vendit tonë dhe gjithë qytetarëve tanë kudo ku ata janë. Kjo do të rrisë kujdesin tonë ndaj tyre në të gjitha aspektet, sepse mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim dhe ne jemi një vend që ka një emigracion të lartë, ndaj kemi nevojë për ta mbështetur akoma më shumë ketë potencial”, – u shpreh Meta.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: