Sipas barrons.com, urat dhe rrugët janë shkatërruar nga reshjet, duke e bërë të vështirë shkuarjen tek familjet e prekura, tha në një deklaratë Byroja Rajonale e Komunikimit e Shtetit Somalez, që tha se ka pasur dëme në bagëti, të korra dhe pronë.
“Më shumë se 20 persona kanë vdekur nga përmbytjet deri më tani… më shumë se 12,000 familje janë zhvendosur”, thuhet në deklaratë. “Rritja e reshjeve dhe parashikimet tregojnë se rreziku i përmbytjeve mbetet i lartë”.
Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, tha muajin e kaluar se Afrika Lindore ka të ngjarë të hasë shira më të dendur se normalet gjatë periudhës tetor-dhjetor për shkak të fenomenit El Nino.
El Nino është një model natyral i lidhur me rritjen e nxehtësisë në mbarë botën, si dhe thatësirën në disa pjesë të botës dhe shirat e dendur gjetkë.
Përmbytjet për shkak të shirave të dendur kanë prekur së fundmi të paktën 405,652 njerëz, me 14 vdekje”, tha OCHA në një raport të situatës të lëshuar të shtunën.
“Të paktën 47,100 njerëz janë zhvendosur në zona më të larta për të shmangur rrezikun e përmbytjeve”, tha agjencia, duke shtuar se reshjet e shiut kishin ndërprerë aksesin në tregje dhe toka bujqësore në disa zona.
Briri i Afrikës është një nga rajonet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe ngjarjet ekstreme të motit po ndodhin me frekuencë dhe intensitet të shtuar. Që nga fundi i vitit 2020, Somalia, si dhe pjesë të Etiopisë dhe Kenias kanë vuajtur thatësirën më të keqe të rajonit në 40 vjet.
Në fund të vitit 2019, të paktën 265 njerëz vdiqën dhe dhjetëra mijëra u zhvendosën gjatë dy muajve të reshjeve të pamëshirshme në disa vende në Afrikën Lindore. Reshjet ekstreme prekën afro dy milionë njerëz dhe dëmtuan dhjetëra mijëra bagëti në Burundi, Xhibuti, Etiopi, Kenia, Somali, Sudanin e Jugut, Tanzani dhe Ugandë.