TIRANE– Reshjet e ditëve të fundit që kanë pushtuar vendin kanë shkaktuar situatë problematike në disa zona. Por Kurbini ka qenë zona më e prekur nga shirat e rrëmbyer dhe vërshimi i ujit, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në banesa e rrugë, ndërsa një i ri humbi jetën.

Kur ende nuk e kanë marrë veten nga kjo situatë, banorët e Kurbinit gjatë ditës së nesërme pritet të përballen sërish me reshje të dendura shiu. Por sipas ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti gjatë ditës së sotme janë marrë masa për pastrimin e kanaleve të larta dhe të përrenjve nga inertet apo trungjet e pemëve që kishin sjell bllokimin e tyre.

Duke folur në studion e “News 24”, ministri Panariti tha se tre ekskavatorë janë vendosur në zonat më problematike, për të qenë në gatishmëri nëse do të jetë e nevojshme.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Kurbinit, një lidhje telefonike, tha për “News 24” se janë mbi 40 familje që kanë pësuar dëmtime të mëdha nga përmbytjet.

Si paraqitet situata në Laç pas përmbytjeve mbrëmjen e djeshme?
Situata ishte shumë e rëndë në orët e mbrëmjes. Kishte vërshime të rënduara të përrenjve. Një pjesë e ujit u shkarkua në zonat e banuara. Prej mëngjesit të sotëm, tre ekskavatorë të fuqishëm kanë qenë në kanalin e ujërave të larta. U larguan trungjet dhe pjesët e tjera që kishin bllokuar përrenjtë. Ekskavatorët do të qëndrojnë aty për 24 orë, pasi edhe ditën e nesërme parashikohen reshje sikurse dje. Një ekskavator është vendosur në Malbardhë. Për momentin situata është stabilizuar. Edhe rrjeti i hidrovorëve është në funksionim të plotë. Situata po ndiqet dhe ne mund ta kemi nën kontroll.

A mund të kemi një pritshmëri për situatën? A mund të vendosen nivele alarmi dhe të paralajmërohen situata të tilla?
Ka plane për përcaktimin e nivelit të rrezikut, dhe shpërnguljen e popullatës në rast rreziku. Sistemet alert krijohen hap pas hapi. Situata ka qenë gati anormale, që edhe mua më kapi të papërgatitur. Situata ka qenë tipike me re të përqendruara në zonën e Kurbinit. Reshjet kanë qenë të mëdha. Pati 110 mm shi në 4 orë. Zakonisht është sasia që bie në një muaj, psh përgjatë nëntorit. Për fat situata na la mundësi të marrim frymë dhe të ndërhyjmë, pasi pati pauzë të reshjeve. Familjet që ishin më të rrezikuara u larguan.

Pati një humbje njerëzore…
Më lejoni t’i shpreh ngushëllimet familjet së të ndjerit. Këto janë dukuri të rënda që ndodhin. Unë e njoh situatën atje, i kam ndjekur vetë punimet për kanalet e larta. Bllokimet që bëhen nga inertet, nga trungjet, vijnë si rezultat i përrenjve malorë, që i sjellin ato pas vërshimet nga lart. Ndaj nevojitet ndërhyrja e menjëhershme e ekskavatorëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb