Dita e tetë e përmbytjeve në jug të vendit ka shënuar një përmirësim të kushteve atmosferike dhe zvogëlim të hartës së tokave të përmbytura, ndërkohë që paralelisht kanë dalë në pah dëmet e mëdha të shkaktuara si në banesa ashtu edhe në bujqësi e blegtori. Komuna Frakull e Fierit ka përllogaritur e para dëmet: 1 miliardë e 260 milionë lekë.

Sot po vijohet me shpërndarjen e ndihmave për banorët si dhe shpërndarjen e bazës ushqimore për bagëtitë. Gjatë paradites në Prefekturën e Fierit është mbledhur Shtabi i Emergjencave, ku i pranishëm ka qenë kreu i grupit parlamentar të PS, deputeti Gramoz Ruçi. Gjithashtu në takim kanë marrë pjesë edhe deputetë të tjerë të këtij qarku.

Në mbledhje është analizuar situata e krijuar në fshatrat e Fierit nga përmbytjet, në mënyrë që të merren masa sa me eficente. Sipas raportimeve në fshatin Darëzezë, një nga më të prekurit ka nisur tërheqja e ujit, por sërish situata është problematike pasi banesat janë të përmbytura dhe shumë prej tyre janë të pabanueshme. Ndërsa në fshatrat e përmbytura në Vlorë, problem është furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti sëbashku me prefekten e Vlorës janë në krye të operacionit për shpërndarjen e ndihmave.

KATARI OFRON NDIHMË PËR ZONAT E PERMBYTURA NË SHQIPËRI

Ora 17:50 Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi sot në Mynih, një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Dr.Khalid Bin Mohammad Al Attiyah. Dy ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe mundësitë e intensifikimit të këtij bashkëpunimi kryesisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve katareze në Shqipëri. Më tej, Ministri Bushati e njohu me vështirësitë e ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të shiut në Shqipëri dhe mori mbështetjen e autoriteteve katareze për të ndihmuar në përballimin e situatës.

IMG_9527

SITUATA E HEC-eve NE KASKADEN E DRINIT NEN KONTROLL TE PLOTE

Ora 16:30 Hidrocentralet në kaskadës e lumit Drin vazhdojnë të jenë nën mbikqyrje të KESH-it dhe situate paraqitet nën kontroll megjithë shkarkimet e detyruara të ujit. KESH publikoi të dhënat e fundit për situatën deri në orën 15:00

FIERZA: Kuota 292.75m, prurjet 600m3/sec, prodhimi 470 MW, 4 agregatë në punë. Shkarkimet nga porta, 300 m3/s
KOMANI: Kuota 173.82m, prurjet 1048/188m3/sec, prodhimi 360 MW, 3 agregatë në punë, shkarkim nga porta 700 m3/s
VAU I DEJES: Kuota 75.00m, prurjet 1335/80m3/sec, prodhimi 92MW, 2 agregatë në punë, shkarkim nga porta 700m3/s. Shkarkim total, 917m3/s

VASILI NE DAREZEZE: SOLIDARITETI I FERMEREVE, NDIHMA ME KONKRETE PER EMERGJENCEN

Ora 15:20 Komunat Darëzezë dhe Sop të Fierit janë vizituar sot edhe nga Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili ka vlerësuar maksimalisht solidaritetin e fermerëve të Lushnjes për këto fshatra. Vasili tha se ndihma të konsiderueshme kanë ardhur për bagëtitët dhe ato janë ndihma më konkretet për emergjencën.

KRYEKOMUNARI I FRAKULLES, FIER: DEMI I SHKAKTUAR, 1 MILIARDE E 260 MILIONE LEKE

Ora 15:10 Rreth 1 miliardë e 260 milionë lekë është dëmi i llogaritur nga grupet e verifikimit në zonat e përmbytura në komunën Frakull të Fierit. Shifra është bërë publike nga kreu i kësaj komune, Viktor Cervanaku. Sipas tij, në fushat e komunës që ai drejton por edhe në banesat e fshatit Kashisht dhe Cerven, të goditur nga vërshimi i ujërave para disa ditësh, nuk ka më mbetje uji, falë punës për hapjen e kanaleve kullues në këtë zonë.

MINISTRI VELIAJ SHPËRNDAN NDIHMA NË URË VAJGURORE

Ora 15:00- Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj ka shpërndarë ndihma në Urën Vajgurore, ku dhjetëra banesa janë përmbytur nga dalja e lumit Osum nga shtrati. Sipas ministrit Veliaj, uji nuk është tërhequr plotësisht, ndërsa qeveria ka programuar rikuperimin e dëmeve.

SHPËRNDAHEN 1400 PAKO ME NDIHMA PËR BANORËT 

Ora 13:45- Emergjencat Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me biznesin dhe organizata të ndryshme po vijojnë sot shpërndarjen e ndihmave në komunat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Gjatë paradites së sotme janë shpërndare 1400 pako me ushqime, ujë i pijshëm dhe veshmbathje për familjet në komunat Levan dhe Novoselë.

Ndërkohë janë disa shtete që kanë kontribuar me ndihma si Kosova që ka dërguar 15 kamionë me ushqime dhe bazë ushqimore për bagëtitë. Ndihma kanë ardhur edhe nga Sllovakia, Austria, Bosnje Hercegovina dhe Turqia.

Në krye të operacionit për shpërndarjen e ndihmave është Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi, Prefektët e qarqeve Fier dhe Vlorë dhe drejtuesit e pushtetit lokal në këto komuna. Ndihmat me pako ushqimore janë dërguar në çdo familje, ndërsa është siguruar bazë ushqimore e mjaftueshme për gjënë e gjallë. Shpërndarja e ndihmave vazhdon.

FIER, 60 BANESA NË DARËZEZË NËN UJË, 1000 FAMILJE TRAJTOHEN ME NDIHMA

Ora 10:10- Reshjet kanë pushuar në qarkun e Fierit, çka ka sjellë përmirësim të situatës nga përmbytjet. Në disa zona ka tërheqje të ujit, por në fshatin Darëzezë, 60 banesa vijojnë të jenë të rrethuara nga uji dhe janë të pabanueshme. Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencave në qarkun e Fierit 1 mijë familje trajtohen me ndihma ushqimore.

14 KAMIONË ME NDIHMA NGA KOSOVA PËR BANORËT E ZONAVE TË PËRMBYTURA

Ora 10:00 – Kosova dërgon në Shqipëri 14 kamionë me ndihma të grumbulluara nga rreth 300 biznese, për banorët e zonave të përmbytura në jug të vendit. Ndihmat ushqimore dhe veshmbathjet u grumbulluan mëngjesin e sotëm në Prizren, para portës kufitare në Vërmicë-Morinë, dhe kamionët mbërritën në Shqipëri rreth orës 10:00, për tu nisur menjëherë drejt zonave të përmbytura. Mësohet se vlera totale e këtyre ndihmave shkon në mbi 200 mijë euro. Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, zhvilloi dje në mesditë një takim në Prishtinë me dhuruesit e ndihmave për zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri. “Falënderoj për këtë solidaritet që buron nga vetë ju, të mbledhur si rezultat i kërkesave tuaja për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në Shqipëri”,-  u shpreh ambasadori Minxhozi para dhjetëra drejtuesve të bizneseve të Kosovës.

VLORË, UJI TËRHIQET NGA BANESAT, MIJËRA HEKTARË TOKË BUJQËSORE ENDE E PËRMBYTUR

Ora 10:05-Situata në Qarkun e Vlorës ka përmirësim të ndjeshëm. Uji mësohet se është tërhequr nga banesat por mijëra hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë. Problem në zonat e përmbytura të Vlorës, mbetet furnizimi me ujë të pijshëm, për shkak të daljes jashtë funksionit të puseve apo tubacioneve të ujit të pijshëm. Autoritetet kanë apeluar të mos përdoret uji edhe në ato zona ku ka tërheqje të përmbytjeve.

DËMTIMI I URAVE, BLLOKOHEN 7 MIJË BANORË

Ora 10:00- Dy komuna në Gramsh janë izoluar, për shkak të bllokimit të rrugëve. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për komunat Kukur e Kushovë me një popullsi prej rreth 7 mijë banorësh. Shkak për bllokimin e rrugëve është bërë dëmtimi i urave që lidhin komunat me Gramshin. Ndërkohë që në shumë rrugë ka edhe rrëshqitje gurësh e dherash.

LUMI ISHËM DEL NGA SHTRATI, DHJETËRA HEKTARË NËN UJË NË KRUJË

Ora 7:35- Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytjen e dhjetëra hektarëve tokë në rrethin e Krujës. Ky fenomen përmbytjesh është i përhershëm dhe fshati i parë që vuan pasojat nga dalja e këtij lumi nga shtrati është fshati Murqin. Nga dalja e tij janë përmbytur disa banesa, dhjetëra hektarë tokë të mbjella me jonxhë, grurë e kultura të tjera. Konkretisht përmbytjet kanë ndodhur në fshatrat Murqinë, Mallkuç, Mazhe etj. Po ashtu përmbytje ka dhe në fshatrat Dukagjin dhe Miliskajë, ndërsa një prej shkaqeve kryesore është mospastrimi i kanaleve prej më shumë se 20 vitesh.

Ndonëse përmbytjet nga lumi Ishëm ndodhin çdo vit madje disa herë brenda një viti, banorët e dëmtuar gjatë këtyre viteve nuk janë dëmshpërblyer në asnjë rast të vetëm.

permbytje, KrujeIshem

 

(Përmbytjet në Krujë) 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: