TIRANE-Përmbytjet në jug kanë shkaktuar debate të ashpra në seancën e sotme të Kuvendit, që duke përfshirë diskutimet edhe për çështjet e tjera, ka zgjatur deri në orën 21:00, kur u miratuan projektligjet e parashikuar në rendin e ditës.

Deputetja e PD-së Albana Vokshi akuzoi qeverinë për mungesën e vëmendjes ndaj banorëve të këtyre zonave, të cilëve, sipas saj iu kanë munguar edhe ushqimet. Në kundërpërgjigje, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj e ka sfiduar, duke i thënë se banorët kanë marrë jo një, por 4 këste ndihmash.

eriobn veliaj

Veliaj: Ky ekip gaztorësh u largua, njerëzit nuk dëgjojnë më çudira që sfidojnë edhe fizikën. Qeveriseshim nga injoranca. Të sfidoj ty publikisht bashkë me Prefektin në çdo familje në Ferras kemi çuar 100 kg ushqime deri në mars. Para se të bërtasësh, pajiseni kryetarin me JPS, thuaji është fshat kodrinor Ferrasi. Ju shkaktoni përmbytje qesharake në një vend kodrinor, fyeni inteligjencën e anëtarëve tuaj, po jo të shqiptarëve. Teksa ti në Ferras po pije kapuçino ne verifikonim shkallat. Ky është ndryshimi. Ti në vend që të ndihmoje zgjodhe bllokimin. Nxorre ca imbecilë me iphone 6 që ngatërrojnë ‘ç’ me ‘q’, që vetëm banorë të zonës nuk ishin, i nxore për të na bllokuar ne që shpëtuam tre vajza të mitura. Nuk ka opozitë në botë që gëzohet kur njerëzit vdesin, kur ka përmbytje.

al;bana vokshi

Vokshi: Ky ministër bën gafa pa fund, hiqet si ministër i rinisë por fyen të rinjtë. Bëri 1 javë qejf në Amerikë dhe vjen na flet për ndihma. Banorët e larguan me forcë. Nuk ke vajtur asnjëherë tek zona ku të dhanë votat. Ke 500 familje të bllokuara në Kurvelesh, ke Përmetin pa ujë të pijshëm ,fshatra të tërë të izoluar Frashërin, ke fshatra në Grykë të Këlcyrës të përmbytura. Por ti zgjodhe të shkosh një javë në Amerikë…Familjet Shehaj dhe Turtulli a i takuat në Ferras? A e takuat zonjën Tahiri që ishte e sëmurë dhe kishte nevojë për ilaç pasi kishte hequr njërin gjoks? Po zonjën Sonila Nina kryefamiljare me 5 fëmijë ,që nuk kishin bukë për të ngrënë? Meqënëse na përmende Ferrasin po të them të lini show-n dhe Facebook-un, bë detyrën boll me shoW, merr përgjegjësitë që të takojnë.

Veliaj: Në të gjitha familjet që përmende është shpërndarë 4 herë ndihma nga Prefekti. Më përmende Amerikën jam nisur për të adresuar OKB se paraardhësit nuk dinin as anglisht. Unë jam deputet i Gjirokastrës dhe po ju them se Gjirokastra është në shpat mali nuk ka pasur përmbytje, deputetet në Tepelenë dhe Përmet ndodhen në krye të detyrës. Shembulli që po jepni është i paprecedentë, ju po hidhin valle mbi fatkeqësinë e njerëzve. Lapraka përmbytet sa herë del lumi as atje s’kane mbarur hallet, atje ku ti je deputete. Por ju keni ngelur tek trami imagjinar. Të sfidoj publikisht të sjell gjithë familjet një më një, dhe ti pyesësh për ndihmat, mos hidh baltë.

RISTANI: PIKA QE S’JU BIE, KRAHASOHENI ME FALKONEN! SHPALLNI EMERGJENCEN!

16:30 Deputeti demokrat Arben Ristani, duke iu drejuar mazhorancës, e nisi fjalën e tij me eksplozivët e vendosur në Tiranë: “Mos iu sulni opozitës, por kuptoni që krimin nuk e kontrolloni dot, se krimi do t’ju kontrollojë. Ju kemi thënë mos flini me bagëtinë, se do të gdhiheni me pleshta. Ne sigurisht që na dhemb sulmi ndaj familjes së Tahirit, jemi në krah të Ministrit, por ju thamë mos e zhbëni Policinë e Shtetit, se do t’iu duhet. Nuk bën t’i turreni opozitës. Zorrët, në këtë parlament, Kryeministri i ka sjellë që në fjalën e parë që mbajti në Parlament; po zorrë kishte në gojë. Po heshti opozita, ju kujtoni se nuk do të ketë tritol?! Ju kemi thenë uluni, bëhuni të përgjegjshëm dhe mos u mburrni. Dolët dje dhe e krahasuat veten me Falkonen. Pika që s’ju bie me Falkonen. Dilni e krahasoheni ju me Borselinon. Dhe kush? Ju! Për përmbytjet ju kemi thënë: Shpallni emergjencën civile. Ky vend e ka një ligj, e ka një protokoll si duhet vepruar. Jeni bërë si romi që i bie klarinetës me veshë. Ka rëndësi gjendja e emergjencës, sepse ligji e përcakton çfarë veprimesh duhet të bëjë qeveria dhe çfarë roli do të luajnë ministritë e ndryshme.

Përsa i përket familjeve që do t’iu shemben banesat në Vlorë, e gjetët në mes të gjendjes së emergjencës t’u çonit fadromat. Por ka një ligj për ata që duan të legalizohen. Ata dolën në një protestë simbolike me një arkivol dhe ju, i mbyllët dyqanin atij që dha arkivolin. Kaq karagjozë jeni! Qëparë, një djalë, ka prerë damarët, sepse nuk paguante dot faturën e energjisë. Por ka dhe raste të tjera, si ai që vrau veten në burg për 3500 lekë. Mos hajdeni vërdallë duke tundur koburen dhe kërcënuar opozitën. Jua thashë edhe njëhërë: Po fjetët me bagëtinë, me pleshta do të gdhiheni.”

DUSHA: DITE TE VESHTIRA EDHE PER VERIUN, KU SHKOLLAT S’KANE NGROHJE, KU KA PAPUNESI

Ora 16:15 Demokrati Besnik Dusha tha në fjalën e tij se “kjo qeveri thotë se e ka arkën bosh për përmbytjet, por nuk e pat bosh për të zbukuar e lyer rrugët dhe mbjellë palma rrugës për në Rinas. Kryeministri kërcënues mbledh bizneset para kamerave dhe i detyron të paguajë për të përmbyturit kur biznesi së pari duhet ndihmuar të shtojë prodhimin dhe punësimin. Duhet të them se këto ditë të vështira janë të vështira edhe qytetarët në veri, qytetarët e Tropojës, që po kalojnë këto muaj dimrin e egër krahas papunësisë dhe varfërisë. Fshatrat në veri me ditë të tëra nuk po kanë energji elektrike dhe shkollat nuk kanë as ngrohje, sepse pushtetit lokal iu shkurtuan fondet.”

PD, ELMAZI: PROPOZOJ NJË LIGJ QË SIGURIMET TË DËMSHPËRBLEJNË TË PËRMBYTURIT

Ora 16:00 Deputetja e PD-së, Liliana Elmazi, iu drejtua me tone kritike mazhorancës, se “na fyet inteligjencën këto muaj për suksese në mbledhjen e të ardhurave në Dogana e Tatime. Por, për çfarë po i përdorni këto para nëse nuk po i përdorni për të përmbyturit?! Miliona euro që mund t’u shkonin të përmbyturve nuk iu dhanë, sepse fituar 4 milionë ero nga KESH. Madje, ndërkohë që fshati digjej, zonat përmbyteshin, KESh e blen edhe 1 l naftë me 1400 lekë. Solidariteti ndihmon, por nuk e zgjidh problemin. Ndoshta zgjidhja bëhet me një ligj të detyrueshëm për Sigurimet, në mënyrë të dëmtuarit të shpërblehen me vlerë reale për dëmet. Ky funksionon në të gjithë botën.”

SELAMI: SEANCA GJITHNJE ME VONESE, S’NA MARRIN SERIOZISHT. META: DO REFLEKTOJME

Ora 11:15- Deputeti i PD-së, Eduard Selami në nisje të seancës parlamentare tërhoqi vëmendje për orarin e fillimit të punimeve. Sipas Selamit asnjëherë Kuvnedi nuk ka filluar në orqën e paracaktuar. “Seanca do fillonte në orën 10:00, filloi në 10 e 46. Nuk kam marrë pjesë në asnjë seancë që të fillojë në orar, Nëse duam të na marrtin seriozisht atje ku duam të shkojmë, le të ndryshojmë sjellje”, tha ai.

Kryeparlamentari Meta duke i dhënë të drejtë, tha se ky shqetësim i krijuar me orarin do ndreqet që në seancën e ardhshme. “Ti lajmërojmë të gjithë deputetet se herën tejtër do fillojmë fiks në orën 10:00. Do reflektojmë”.

PROJEKTLIGJET QE U MIRATUAN SOT NE KUVEND

Ora 21:00 Sot në Kuvend u miratuan disa projektligje, si projektligji “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”. Ai mori107 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 102 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, AVN AG, Statkraft as dhe Devoll Hydropower sha si bashkëkoncesionarë për projektin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 75 vota pro dhe 23 vota abstenim.

Projektvendimi “Për miratimin e disa ndryshimeve në strukturën, organikën dhe numrin e punonjësve të administratës së Autoritetit të Mediave Audiovizive” u shty për seancën e radhës. Me unanimitet u pranua propozimi i z. Bashkim Fino, që Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të japë mendim për këtë çështje.

HAPET SEANCA PLENARE, RENDI I DITES I KUVENDIT

Ora 10:00 Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot për të diskutuar një sërë projektligjesh të rëndësishmë, ku pritej edhe një interpelancë me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kuvendi e çeli seancën e sotme me miratimin e procesverbalit të seancës plenare, datë 5.02.2015 dhe interpelancën me ministren e Mbrojtjes, kërkuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të PD-së.

Në rendin e ditës ishte projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867,datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrëzikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar. projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10081, date 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, po ashtu, pritej të shqyrtoheshin edhe projektligji “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” (vazhdon shqyrtimi në komisione), projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr.10083, datë 23.2.2009, “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, si autoritet kontraktues, AVN AG, Statkraft as dhe Devoll Hydropoëer sha si bashkëkoncesionarë për projektin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe trasferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, projektvendimin “Për miratimin e disa ndryshimeve në strukturën, organikën dhe numrin e punonjësve të administratës së Autoritetit të Mediave Audiovizive”.

Gjithashtu, në seancën e sotme Kuvendi ka parashikuar në rendin e ditës edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku koha e diskutimeve ishte deri në 60 minuta.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: