Një 33­-vjeçar është vënë në pranga të shtunën nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për përndjekjen e një gazetareje për dy vite radhazi. I arrestuari është Saimir Qefalia, me arsim të lartë, banues në rrugën “Mihal Grameno”, në Tiranë. Ai është vënë në pranga nga shërbimet e Komisariatit nr.1, pas një kallëzimi që ka bërë për përndjekje gazetarja 33-­vjeçare, Jonida Shehu, shkruan sot e përditshmja “Panorama”.

Burimet thanë se për dy vite rresht ai i ka dërguar mesazhe në rrjetin social “Facebook” gazetares Shehu, duke i shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm. Pasi ka pritur afro dy vite që personi që e bezdiste të hiqte dorë nga mesazhet, Jonida Shehu ka vendosur t’i drejtohet për ndihmë Policisë, kur ka kuptuar që i dyshuari nuk kishte ndërmend të ndërpriste mesazhet.

Për këtë arsye, ajo ka printuar të gjitha mesazhet që ai i ka dërguar në “Facebook” për dy vite rresht dhe i ka dorëzuar në Komisariatin nr.1, bashkëngjitur kallëzimin me shkrim që ajo ka bërë për përndjekje. Burimet thanë se i dyshuari i dërgonte mesazhe shqetësuese gazetares thuajse çdo ditë, por numri më i madh i mesazheve ishte pas çdo puntate të emisioneve që ajo drejtonte në televizionet “Ora News” dhe aktualisht në “Top Channel”. Frazat që përsëriteshin më shpesh nga i arrestuari pas emisioneve që drejtonte gazetarja Shehu, ishin ngacmuese dhe shqetësuese. Një ndër mesazhet që ai i ka dërguar me dhjetëra raste Shehut, ishte: “Sot nuk buzëqeshe shumë. Pse ishe e mërzitur?”. Policia i ka administruar si provë të gjitha mesazhet e printuara në fletë të formatit A4 nga gazetarja dhe pas arrestimit i dyshuari është ballafaquar me këto prova.

I ARRESTUARI

gazetarja-473x248
Personi i arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Tiranës për përndjekjen e gazetares Jonida Shehu, është 33­vjeçari, Saimir Qefalia, i diplomuar për Gjuhë­Letërsi në vitin 2004. I arrestuari, gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin nr.1, ka pranuar se i ka dërguar mesazhe gazetares së njohur, duke u shprehur se e kishte fiksim dhe nuk ka pasur asnjë qëllim të keq dhe as për ta bezdisur. Ai ka treguar se ka ndjekur çdo emision që ka drejtuar Jonida Shehu, pasi ajo i pëlqen dhe nuk e ka fyer, as kërcënuar. Në një moment kur oficeri i Policisë e ka pyetur se përse e ka përndjekur zonjën, ai duke mos pranuar se Shehu është e martuar, i është përgjigjur: “Ju lutem shumë, ajo është zonjushë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: