“Nuk mund të shkojmë ne drejt një reformë zgjedhore, me lojra, hilera dhe përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.” Kështu u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha për gazetaren Nisida Tufa në emisionin “Kjo Javë”.

Ndër të tjera Basha komentoi edhe tryezën e organizuar nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore, ndërsa theksoi se reforma zgjedhore duhet jo thjesht dhe vetëm për ta çuar vendin një orë e më parë, pa asnjë vonesë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet vendore, sipas Kushtetutës, por po kështu për të hapur negociatat për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian

Pjesë nga intervista:

 Pyetje: Dy kushtet kryesore prioritare janë reforma zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, kur i shihni të realizuara këto z.Basha?

Lulzim Basha: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jofunksionale prej një kohe të gjatë. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Opozita, Partia Demokratike, prej kohësh kanë insistuar për një zbatim reformës në drejtësi që ne e kemi votuar në nivelin kushtetues në mënyrë të tillë që të mos e linte vendin pa gjykatë. Sepse në momentin që nuk ka një Gjykatë të Lartë, në momentin që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, dua ta them këtë fare qartë për çdo qytetar, pushtetet e këtyre gjykatave nuk avullojnë, por absorbohen, përthithen nga qeveria, nga kryeministri. Pra, nuk e them si metaforë por është e vërtetë që me asgjësimin e këtyre dy gjykatave Edi Rama është edhe Gjykatë e Lartë edhe Gjykatë Kushtetuese. Kjo është një situatë shumë e rëndë, e paprecedentë në Europë, prej të paktën dy shekujsh. Ndaj e rëndësishme është që këto dy gjykata të jenë funksionale sa më shpejt, po kaq e rëndësishme është që këto dy gjykata të jenë funksionale sipas ligjit, sipas Kushtetutës, sipas reformës në drejtësi.

Pyetje: Por si dy kushte, kur mund të jenë të realizueshme?

Lulzim Basha: Fatkeqësisht opozita nuk ka asgjë në dorë në raport me këtë proces. Sepse ne kemi denoncuar prej kohësh kapjen e reformës në drejtësi nga qeveria. Por ne do të vazhdojmë të insistojmë, të vigjilojmë dhe të bashkëpunojmë edhe me opinionin publik, edhe me faktorin ndërkombëtar jo vetëm që këto dy gjykata të fillojnë punën sa më parë, por që konstituimi i tyre të bëhet në mënyrë të tillë që të garantojnë që ato të jenë me të vërtetë të pavarura. Për sa i përket reformës zgjedhore, siç ju thashë është vetë fakti që ky tashmë përbën një kusht për integrimin europian të vendit, siç e thotë edhe dokumenti i Bundestagut. Por ju kujtoj siç e thoshte edhe para një viti Këshilli Europian para një viti për Shqipërinë, sikundër skanimi që i bëri raporti i OSBE/ODIHR-it zgjedhjeve të 30 qershorit, që e ka shtyrë PD dhe aleatët tanë të mos qëndrojnë pasivë dhe të tregojnë me gisht përgjegjësinë për mungesën e zgjedhjeve të lira në vend por të hedhim një propozim konkret, një plan konkret të cilin që prej ditës së djeshme. Siç e keni vënë re ne kemi filluar ta konsultojmë edhe me qytetarët për një reformë zgjedhore që të garantojë që parlamenti i ardhshëm dhe qeveria e ardhshme të jenë produkt i votës së qytetarëve dhe t’i takojnë qytetarëve.

Pyetje: Mbërrijmë pak më në brendësi të opozitës dhe Partisë Demokratike, duke qenë se deri tani po flisnim më tepër edhe për negociatat. Zoti Basha pati një pritshmëri ndërkombëtare këtu nga fakti që përfaqësues të Partisë Demokratike shkuan për takimin për reformën zgjedhore në tavolinën e organizuar nga OSBE, përmend këtu deklaratën e Trojkës, OSBE, Ambasadës Amerikane; çfarë kërkon Partia Demokratike realisht për të arritur?

Lulzim Basha:  Ne ishim të vetmit që shkuam në këtë tryezë të përgatitur me një plan dhe një propozim konkret, i cili është gati për tu zbatuar. Çfarë do të thotë reformë zgjedhore? Do të thotë në radhë të parë disa ndryshime në ligj, të cilat duhen bërë në mënyrë transparente dhe të konsultuar dhe së dyti do të thotë vullnet politikë për të zbatuar gjithçka që palët bien dakord; që nga sistemi zgjedhor deri tek rregullat për të dënuar ata që blenë votat apo për të pamundësuar transformimin dhe manipulimin e vullnetit të qytetarëve gjatë procesit të numërimit, siç ndodhi, siç u provua që ndodhi edhe në procesin e 30 qershorit, ku edhe pse pa kundërshtarë, është provuar tashmë që në procesin e numërimit ka ndodhur manipulime të mëdha dhe askush nuk është dënuar. Prandaj, në këtë kuadër është e rëndësishme që, ashtu siç ne kemi shprehur vullnetin tonë politik, të ekzistojë vullneti politik edhe nga pala tjetër. Nuk mund të shkojmë ne drejt një reformë zgjedhore, me lojra, hilera dhe përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Pyetje: A u lexua si një hap përpara pjesëmarrja e Ivi Kasos aty?

Lulzim Basha: Pjesëmarrja e zotit Kaso ishte një pjesëmarrje e rakorduar në emër të opozitës së bashkuar. Duhet të jemi të qartë se aty nuk ishte i pranishëm vetëm Partia Demokratike, por ishin të pranishëm përfaqësuesit e opozitës së bashkuar dhe padyshim ishte shenjë e vullnetit tonë. Sepse tashmë e kemi të qartë se reforma zgjedhore duhet jo thjesht dhe vetëm për ta çuar vendin një orë e më parë, pa asnjë vonesë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet vendore, sipas Kushtetutës. Por po kështu për të hapur negociatat për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian që është një qëllim që e bashkëndan Partia Demokratike me aleatët dhe është një qëllim kombëtar i çdo shqiptari. Duket se të vetmit të interesuar për të mos hedhur hapa në këtë drejtim janë ata që kanë edhe përgjegjësinë. 4 vite me radhë Shqipëria ka dështuar  me negociatat, por ne nuk mund të mbetemi peng i një njeriu apo i një force politike që ka degraduar shtetin ligjor, ka degraduar demokracinë, ka degraduar zgjedhjet. Për këtë arsye kemi hedhur këtë akt pro aktiv dhe opozita ka paraqitur një plan konkret, propozim konkret për reformën zgjedhore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb