BRUKSEL- Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në takimin e Koalicionit kundër ISIS në NATO, të thirrur nga Sekretari Amerikan, John Kerry, raporton KTV.

Hoxhaj është përplasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiç pasi ministri i jashtëm kosovar nuk e ka lënë të flasë në emër të Kosovës homologun e tij serb.

Kryediplomati serb gjatë fjalimit të tij ka thënë se Ballkani është në rrezik nga radikalët pasi “në rajonin e Rashkës në jugperëndim të Serbisë dhe në Kosovë ekzistojnë pjesëtarë të radikalizuar të komunitetit islam, të vendosur në qendra fetare që financohet nga jashtë”.

Menjëherë ka reaguar Hoxhaj duke kërkuar nga Daçiçi që të mos e keqpërdor takimin.

“Unë kam kundërshtuar fuqishëm përmendjen e Kosovës në një deklarim të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Daçiç me atë rast kam kërkuar që ai të mos keqpërdorë një takim të tillë të madh global nën udhëheqjen e SHBA-së meqë ai nuk ka të drejtë të flasë në emër të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj për KTV-në.

Hoxhaj, bashkë me ministrat e jashtëm të rajonit, një ditë më parë, kanë marrë pjesë në një seancë diskutimi në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Në fjalën e tij Hoxhaj ka folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke thënë se përmbyllja e negociatave për MSA-në këtë vit ishte një arritje e madhe për të dyja palët. Më tej, ai ka insistuar se është koha e fundit për të marrë një vendim për vizat dhe nevojën që shteti i ri të njihet nga pesëshja evropiane.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: