Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje” për Rei Bitrin, 21 vjeçarin që aksidentoi një punonjës policie në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Gjatë seancës gjyqësore, Rei Bitri pretendoi se polici i kishte dalë papritur përpara dhe se nuk kishte arritur ta shihte në kohë. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës po pret rezultatet e ekspertizës mjekësore nga spitali ku efektivi i policisë po merr trajtim.
Në sallën e gjyqit u bë e ditur se paraprakisht efektivi ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, Prokuroria ka marrë dëshmitë e dy efektivëve të tjerë të policisë që ishin në shërbim në rrugën “Xhanfize Keko” në momentin e aksidentit.
Sipas hetimeve, Rei Bitri ishte duke udhëtuar me mjetin e tij privat kur punonjësi i policisë e urdhëroi të ndalonte duke hapur krahun. Në këtë moment, 21-vjeçari aksidentoi efektivin, duke i shkaktuar dëmtime në këmbë.