Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka patur edhe një debat me analistin Andi Bushati, lidhur me marrëveshjen potenciale mes Kosovës dhe Serbisë. Bushati tha se kjo marrëveshje po bëhet në një kohë të favorshme për Serbinë dhe ngriti pyetjen nëse kjo marrëveshje është e mirë për Kosovën apo për Hashim Thaçin personalisht, duke marrë parasysh edhe akuzat që i vijnë për frikën nga gjykata speciale.

Thaçi u shpreh se nuk i trembet gjykatës speciale dhe se është koha më e mirë për një marrëveshje me Serbinë.

Pjesë nga debati:

Andi Bushati: Ju kam ndjekur në intervistat tuaja dhe rrëfenja që ju i keni treguar që nga fillimi i Gushtit shqiptarëve, është se do bëjmë një marrëveshje me Serbinë, që do ruajë Kosovën multi-etnike, që nuk do dorëzojmë asnjë cep toke të Kosovës, por që përveç këtyre do marrim një vend në OKB, do na njohë Serbia, do na njohin edhe pesë vendet e BE-së. Pra, rrëfenja është super idilike.

Hashim Thaçi: Pajtohesh?

Andi Bushati: Jo, më duket si përrallë. Nga ana tjetër, për ndryshimin e konjukturës ndërkombëtare. Kur keni bërë këtë pikturë të madhe, keni thënë se do të donit të negocionit me një Serbi të kohës së Millosheviçit, por sot Serbia ka udhëheqësit e saj të zgjedhur, na pëlqejnë apo nuk na pëlqejnë dhe në raport me vitin 1999, Serbia sot është shumë e pranueshme për opinionin ndërkombëtar, se Serbia në kohën e Millosheviçit.

Po të shohësh ekuacionin, e marrë nga fjalët tuaja, ne në kohën kur Serbia ka qenë në ditën e saj më të keqe, nuk e kemi arritur dot këtë përrallën që ju vizatoni dhe do e arrijmë tani , në kohën kur Serbia është shumë më e fortë se atëherë?

Pra, ka një kontradiktë të madhe këtu. Ju kam dëgjuar të thoni, ështa tani momenti. Është momenti që i duhet Kosovës, apo është momenti personal që i duhet Hashim Thaçit?
Kundërshtarët ju thonë gjykata speciale. Dyshoj se i duhet më shumë Hashim Thaçit. Ju thatë se do të bëni ekipin negociator, por unë nuk njoh në praktikat ndërkombëtare, një lider që del, që në 2 Gusht, vizaton rrugën dhe pastaj cakton ata që duhet të zbatojnë marrëveshjen, që ju do ecni në gjurmët e rrugës që ju kam caktuar unë.
Nëse ju do të besoni tek ky proces demokratik, nuk kishte nevojë të bënit gjithë atë tallavi që luajti gjysmën e Europës.
Analiza na tregon se mund të mos jetë momenti tani, por mund të jetë momenti që i duhet Hashim Thaçit.

Hashim Thaçi: Hashim Thaçi ka menduar të themelojë UCK-në, bashkë me të tjerët dhe me një grup të vogël njerëzish kemi filluar rezistencën. Më së pakti privatisht ju ka dashtë Hashim Thaçit, e kam patur jetën shumë të mirë në rrafshin material dhe familjar, por kam filluar rezistencën kundër Serbisë për kauzën kombëtare. Gjithë ajo luftë që është zhvilluar, i është dashur personalisht Hashim Thaçit? Rreth 40 herë e kam kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë, të blinduar me mina të ushtrisë Serbe.
Derisa kam qenë i gatshëm të sakrifikoj jetën, për Gjykatë speciale ta them të drejtën dhe për drejtësinë e luftës që kam zhvilluar, është krenaria më e madhe e jetës time dhe e kombit tim. Nuk ka gjykatë që e cënon drejtësinë e luftës për UCK-në. Sikur të kisha shqetësim unë e kam propozuar, votuar në parlament dhe kam punuar.

Andi Bushati: Dhe kundërshtuar, edhe me riskun e ngritjes kundër ndërkombëtarëve.

Hashim Thaçi: E ke gabim, e kemi votuar me insistimin tim, në partneritet me SHBA dhe BE.

Andi Bushati: Dhe ishit gati ta rërzonit edhe kundër tyre

Hashim Thaci: Plotësisht e ke gabim. Ajo çka ndodh tani, pas 1999, është një qëndrim më fleksibël i Serbisë për të diskutuar. Mundësia e arritjes së një marrëveshje ekziston. Është një vullnet i dy anshëm, pala serbe thotë do të jetë e dhimbshme nëse arrihet një marrëveshje me Kosovën, siç e thashë se nuk do të jetë dhuratë e Beogradit njohja për Kosovën. Do të vendosë delegacioni shteteëror, parlamenti por edhe qytetarët me mundësinë e referendumit.

Andi Bushati: Puna është tek momenti.

Hashim Thaçi: Cdo marrëveshje, që ka arritur Kosova deri tani, e ka arritur përmse kompromisit dhe ka patur edhe kritikues dhe debatues që i respektoj. Është momentum i mirë sepse ekziston vullneti nga ana e Sërbisë për të diskutuar. Gjeneratat e reja nuk kanë kohë të na presin ne, duke akuzuar Serbinë. Tash a jemi mirë kështu? Po mirë, presidenti është mirë, kryeministri është mirë, kryeparlamentari është mirë, ministrat janë mirë, por qytetarët nuk janë mirë.
BE dhe SHBA janë unikë në këtë proces. Edhe Rusia, kam patur takim me Putin. Në atë sallë ku ka ndodhur ky takim, ka patur shumë liderë botëror.

Andi Bushati: Dua përgjigje për pyetjen

Hashim Thaci: Momentumin po tregoj, ti nuk ke durim të më dëgjosh. E kam pyetur Putin direkt, më së pari ka qenë mirë për shtetin e Kosovës që ka ndodhur një takim i tillë. Kosova nuk është armik i Rusisë, por as partner. Cka nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, cili do jetë qëndrimi juaj? Tha nuk kemi alternativë tjetër, do ta pranojmë, e ka thënë zëdhënësi i Kremlinit disa ditë pas takimit.
Pyetja ime e dyta ka qenë, cili do të jetë pozicioni i Rusisë në Këshillin e Sigurimit? Më tha, nuk mund të sillemi më serb se serbët. Edhe në nivel të rajonit, të gjitha shtetet, pa dallim, duke përfshirë edhe Shqipërinë, të gjithë pajtohen.

Andi Bushati: Se ministri i jashtëm që nuk pajtohej iku

Hashim Thaçi: Shiko, ajo është problematika më e vogël që unë merrem me atë punë. Është vendim autonom i qeverisë së Shqipërisë, i kryeministrit, në atë debat nuk do futem. Rrethanat ne nivel të rajonit janë të favorshme dhe rrethanat në nivel global janë të favorshme për arritjen e një marrëveshje të tillë.

Andi Bushati: Unë e quajta një përrallë pak e vështirë për tu besuar, sepse ne mund të fitojmë më shumë tani që Serbia është më e fortë, se sa fituam kur kishim një Serbi të cilës i lëshoi bombat i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Të duash t’i shesësh shqiptarëve këtë, është pak e vështirë.

Hashim Thaçi: Mirë o zotëri, ti në kohën kur filluam luftën ke mujt me thënë, po a fillohet lufta kur Milloshevici po djeg Kroacinë dhe Bosnjen? E kemi filluar. Ke mujt me thënë, nuk mund ta fitojë Kosova lirinë sepse Miloshevici me nënshkrimin e Dayton është bërë njeri i ndërkombëtarëve. Mirëpo bota ndryshon, ku mbeti Milloshevici, ku përfundoi Serbia? Ndaj, e di që njerëzit nuk janë mësuar të dëgjojnë gjëra të tilla prej nesh, sepse më lehtë për mua është të fitoj duartrokitje, me thënë Serbia është e poshter, fashiste. Por, përcaktimi im është të punoj për një marrëveshje paqësore.
Nëse nuk arrihet tani, do ta bëj dikush tjetër, por frikësohem se në një rrethanë tjetër do të humbim dekada.
Është e lehtë me kritiku, thoni Hashimi kështu apo ashtu pastaj ja fusni në kafe.

Andi Bushati: Nuk është stili im ky, po gjithsesi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: