Analisti Mentor Kikia në emisionin “Open” në News24 tha se nuk e priste aspak reagimin e ish-Presidentit Ilir Meta në sallën e gjyqit kundër Prokurorëve të SPAK.
Kikia tha se ka parë reagime në sallën e gjyqeve nga persona të tjerë, por nuk mendonte se një reagim të tillë mund të vinte nga një person që ka mbajtur funksionet më të larta drejtuese.
“Mënyra se si u arrestua Ilir Meta ishte e pajustifikueshme, e panevojshme dhe e paargumentuar. Ilir Meta ka më shumë se 1 vit që artikulon akuza, ka 1 vit që e quan prokurorin “DumDuman”. Nuk kemi deklarata normale të Ilir Metës prej kohësh, por sot në sallën e gjyqit nuk duhej të ndodhte”, tha Kikia.
Ndërkohë analisti Agim Baçi tha se policia duhet të mësohet që të respektojë dinjitetin e kujdo. “Ministri i Brendshëm duhet të na nxjerrë pamjet filmike dhe mos bëjë retorikë politikë. Ajo pamje ishte e shëmtuar, nuk mund të merret zvarrë një ish-President”, tha Baçi.
Ai u shpreh se SPAK nuk mund të interpretojë formën e arrestimit. “SPAK nuk ka bërë asnjëherë më parë sqarime apo komente të tilla lidhur me momentin e arrestimit”, tha Baçi.
(BalkanWeb)