Autoritetet serbe kane qenë të njoftuara për aksionin në veri të Policisë së Kosovës më 28 maj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Vincenso Grasso. I pyetur nëse autoritetet në Serbi e dinin këtë një ditë para operacionit, Graso u përgjigj: “Unë mendoj se ata e dinin”. “Gjatë operacionit ne kemi komunikuar me institucionet e Kosovës, komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet serbe. Ne komunikojmë me ushtrinë (serbe) dhe jo Qeverinë”, tha Grasso.

Ai tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, disa herë e ka paralajmëruar këtë aksion. “Ne nuk e kemi ditur 10 ditë më parë mirëpo Vuçiq ka thënë se NATO i kishte njoftuar autoritetet serbe”, tha Grasso. “Jam i habitur që të gjithë janë të befasuar. Ne vazhduam të komunikonim. Gjatë operacionit ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe të gjithë janë informuar. Ne u njoftuam një ditë më parë”, tha ai.

Ndërkaq, menjëherë ka reaguar Vuçiç, që tha se nuk është e vërtetë që ka pasur dijeni për aksionin e policisë së Kosovës në Veri.

“Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë nuk e flasin të vërtetën kur thonë se autoritetet në Beograd kanë qenë në dijeni për operacionin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe se një gjë e tillë është lehtë të verifikohet”, tha Vuçiç.

Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policor dhe doganierë. Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb