Prokurori Arjan Ndoj ka mbetur i plagosur në atentatin që ndodhi sot në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan lajmin për ‘BalkanWeb’. Të plagosur kanë ngelur edhe 2 të tjerë, shoferi i Ndojit dhe shoku i tij, Aleksander Laho. Prokurori i Durrësit udhëtonte me mjetin ‘benz’ me targa AA 333 ZD gjatë kohës kur një automjet tjetër i është afruar dhe ka hapur zjarr.


Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht prokurori Ndoj, i cili së fundi u bë ‘mollë sherri’ mes maxhorancës dhe opozitës. Prokurori Ndoj ishte ai që çoi pas hekurave ish-drejtorin e Kadastrës Liridon Pula. Ky i fundit u mor në mbrojtje nga zëvendës kryeministri Erion Braçe dhe nga kryeministri Edi Rama.
Por Ndoj është i përfolur edhe për çështje të tjera.


Më 3 tetor, duke iu referuar Ndojit, kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se “një prokuror në Durrës bashkëpunon me bandat kriminale dhe shantazhon nëpunësit e shtetit”.


Kujtojmë se Braçe mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë për ish-kreun e Kadastrës ku hodhi akuza të ashpra ndaj prokurorit Ndoj. “Pa më të voglin diskutim që është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit,” deklaroi Braçe, duke marrë në mbrojtje ish-kreun e Kadastrës. “Presion dhe shantazh kriminal, që është bërë jo për këtë çështje, por për pallate monstruoze që duhet të legalizohen në këtë qytet,” tha ai, duke mos i kursyer akuzat për prokurorin Ndoj.

Por, kush është prokurori Arjan Ndoj?
Në vitin 2008, Arian Ndoja është emëruar prokuror në Durrës, pasi ishte liruar më parë nga detyra e prokurorit nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Gjatë kohës që nuk ka qenë prokuror, Arjan Ndoj ka bërë avokatin mbrojtës të Arian Selimit, i cili akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine.

Ndërkohë, pas kësaj, prokurori Ndoj u akuzua për një tjetër ngjarjeje të rëndë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur vitin e kaluar, ku u dhunua avokati Ilia Ilia, ngjarje pas së cilës u dyshua se qëndronte pikërisht prokurori Ndoj.

Avokati Ilia u dhunua me sende të forta nga dy persona jashtë dyerve të Prokurorisë së Durrësit, menjëherë sapo kishte përfunduar një seancë gjyqësore. Vetë avokati deklaroi se dhunuesit ishin udhëzuar nga prokurori Arjan Ndoj. .

Burime policore thanë në atë kohë se ka qenë vetë avokati, i cili iu ka thënë efektivëve se një nga dy personat që e sulmoi ka qenë Mond Voga. Pas kësaj, policia ka organizuar një aksion për ndalimin e Vogës, por deri më tani nuk kanë mundur të lokalizojnë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb