Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin e 10 personave e tjerë përveç Arbër Paplekajt.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria e Elbasanit i kërkoi Gjykatës së Apelit të vlerësojë të ligjshëm arrestimin e 10 personave dhe rishikimin e masës së sigurisë, por kjo kërkesë e organit të akuzës u hodh poshtë nga gjykata e Apelit.
Në sallën e gjyqit avokatët mbrojtës të 10 personave të cilët ishin prezent dhe hetohen me masë sigurie detyrim paraqitje i kanë drejtuar prokurorisë dhe gjykatës së Elbasanit disa pyetje.
Prokuroria e Elbasanit kërkoi të vlerësohej i ligjshëm arrestimi në flagrancë për shtetasit Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim, dhe Eldjo Beko i akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, por kjo nuk u mor parasysh nga gjykata.
Avokati mbrojtës i ish-oficerit të Policisë Gjyqësore Arjan Hoxha tha se klienti i tij ishte i pari person që thirri policinë, e cila ishte prezente. “Ju nuk mund të kërkoni për Alban Hoxhën masë sigurie më të rëndë se ajo që ka caktuar Gjykata e Elbasanit, detyrim paraqitje dhe as nuk mund të vlerësoni si të ligjshëm arrestimin siç e kërkon prokuroria. Albani është prind i dy fëmijëve, i divorcuar dhe të dy fëmijët e mitur i mban vetë. Ju vë në dispozicion dhe dokumentet në të cilat vërtetohet se për pak ditë, djali i tij do t’i nënshtrohet një transplanti veshkash në Gjermani. Ne jemi dakord që edhe kundrejt një garancie pasurore të hetohet i lirë për shkak të probleme familjare që e kushtëzojnë”, deklaroi avokati.
Avokati Neshat Fana, mbrojtës ligjor i dy prej personave të tjerë të akuzuar i drejtoi disa pyetje Gjykatës dhe Prokurorisë së Elbasanit. “Klientët e mi janë dorëzuar vetë në polici dhe madje një nga ta ka mbetur i plagosur dhe ka hipur vetë në furgonin e policisë. Policia e ka çuar në komisariat si qen dhe nuk i ka dhënë as ndihmën e parë apo ta çonte në spital për trajtim. Ku qëndron arrestimi i ligjshëm që kërkon prokuroria? Kur ai ka hipur vetë në furgon dhe e ka çuar me vonesë në spital? Prokuroria ka ngritur akuzë për përplasje të grupeve kriminale? Mirë një grup është këtu dhe konsiderohen këta ish-punonjës policie, aktivistë të PD, po grupi tjetër ku është? A mund të na e shpjegojë prokuroria cilin grup kishin përballë këta njerëz? Prokuroria po flet politikisht dhe prokuroria e Elbasanit po flet me gjuhën e politikës të vitit 1985. Njerëzit që janë para gjykatës janë ata që lajmëruan policinë dhe nuk u arratisën por shkuan vetë në polici”, deklaroi në sallën e gjyqit avokati Neshat Fana.
Arbër Paplekaj i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit mbetet në burg. Në 21 Prill në qytetin e Elbasanit si pasojë e një përplasjeje mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë midis tyre një punonjëse policie.