Pjesa e parë/ Në Shënjestër
Dikur një zonë e papopulluar, me pisha të buta dhe pa infrastrukturën e nevojshme hoteliere, Gjiri i Lalzit është kthyer në vitet e fundit në zonën bregdetare të pëlqyer të politikanëve dhe biznesmenëve, që kanë ndërtuar këtu vila luksoze.

Por po kështu, edhe në zonën e lakmuar për bandat e qytetit të Durrësit, të cilat kanë shtrirë duart këtu për të përvetësuar, me mijëra metra katrorë bregdet. Kjo, me bekimin edhe të strukturave të korruptuara shtetërore.

Lakmi, që ka sjellë vetvetiu edhe përplasje të dhunshme midis bandave rivale që kontrollojnë qytetin. Banda të cilat nuk kanë nguruar të ngrenë armët edhe ndaj njëra-tjetrës, duke lënë pas viktima dhe të plagosur të shumtë.

Luftë e cila krahas zhvatjes së pronave në bregdet, përmes dokumenteve të falsifikuara, është kthyer edhe në një përpjekje për të kontrolluar Portin e Durrësit, ku në qendër të të gjithë kësaj batareje me plumba, qëllimi duket se është lufta për territore. Mbi të gjithë, rezultojnë të jenë të përfshirë, dy emra të njohur të botës së krimit.

Në njërën anë Plaurent Dervishaj, dhe në krahun përballë, Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”. Plumba të cilët përpara se t’i linin vend skenës së përgjakur të atentateve, do të parapriheshin nga disa ngjarje të tjera.

Në dukje pa ndonjë rëndësi të veçantë, por që në fakt tregonin se mafia e tokës në Durrës kishte filluar të vepronte fuqishëm.
Siç ishte, grabitja më 8 maj 2018, e postës sekrete të Prokurorisë së Durrësit, ku persona të paidentifikuar sulmuan dhe i morën çantën me dokumente të rëndësishme, korrierit të Postës së Durrësit.

Ndërkohë që po më 24 maj të këtij viti, persona të maskuar, u futën në ambientet e prokurorisë së Durrësit dhe grabitën nga aty një dosje hetimore që lidhej me pronat në Gjirin e Lalzit dhe në Hamallaj.

Mesa duket, krimi lokal, ishte i interesuar të zhdukte gjurmët e skandalit të tjetërsimit të pronave në këtë pjesë të bregdetit shqiptar. Krim, ku do të dalë se të përfshirë janë edhe njerëz të drejtësisë si edhe funksionarë të kadastrës.

Më herët bandat kriminale, tashmë të mbrojtura nga shteti, kishin ushtruar terror edhe ndaj biznesmenëve të huaj. I tillë ishte dhe rasti i biznesmenit libanez, Faadi Mitri, i cili u dhunua barbarisht në shtator të vitit 2016, në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij me qëllim që të tërhiqej nga investimi në Gjirin e Lalzit. Pamjet shokuan opinionin publik dhe bënë xhiron e botës. Midis emrave të akuzuar ishin Rrumi dhe njerëz pranë tij, të cilët kishin përfituar prona në bregdet nëpërmjet falsifikimit dhe tjetërsimit të tyre.

Më aktivi ndër ta rezulton të jetë “Rrumi”, njeriu që sot jeton i rrethuar në vilën e tij luksoze, nga truproja të shumtë, ku thuhet se përmes vendimeve të gjykatave, ka zhvatur edhe pronat e familjes së ish-gjyqtarit të ndjerë, Skerdilajd Konomi i cili u hodh në erë në një atentat mafioz, më 9 shtator 2011, në qendër të Vlorës, teksa po udhëtonte me makinën e tij. Personazh, i cili është në përplasje të vazhdueshme me Plaurent Dervishaj, i cili sot jeton në Dubai dhe akuzohet për dy vrasje të bujshme, atë të biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliut, ngjarje këto të të ndodhura në vitin 2005 në harkun kohor të 24 orëve. E para në Tiranë dhe e dyta në Durrës.

Mafie e tokave në bregdet që shpejt duket se do të prodhonte edhe atentate të rënda, ku skena e parë e përgjakshme do të shënohej në fshatin Koxhas të Shijakut, ngjarje kjo e ndodhur më 20 qershor 2019, ku Plaurent Dervishaj dhe miqtë e tij do të sulmoheshin me armë nga persona për të cilët ata nuk dhanë njohje gjatë dëshmive të tyre në prokurori, por që shpejt u kuptua se shkëmbimi i ndërsjelltë i plumbave, po zbrazeshin nga lufta për trojet në bregdet.

Sipas dosjes hetimore mesditën e datës 20 qershor 2019, Dervishaj, dhe dy miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj, ishin nisur në fshatin Koxhas të Shijakut.
Aty, ku Dervishaj, po ndërtonte një banesë. Bazuar në dëshmitë e tyre, ata qëndruan në fshat, përreth një orë.
Ku ndërsa po kontaktonin me personelin ndërtues, në objekt mbërritën pas tyre me një automjet tip ‘Range Rover’ edhe dy djem të rinj. Njëri prej tyre ishte Stiljano Dervishaj, djali i Plaurent Dervishaj, i cili jeton në SHBA.

Sapo këta të fundit u larguan nga banesa në ndërtim, pas tyre lëvizën nga objekti edhe grupi i parë i përbërë nga Plaurent Dervishaj, Bashkim Haxhiaj dhe Julian Meçaj, të cilët, edhe këta udhëtonin me një automjet tip ‘Range Rover’ me targa AA 005 MJ.
Pikërisht është ky momenti kur drejtuesi i automjetit Julian Meçaj, konstaton në një distancë të afërt në rrugët e fshatit, pranë murit të ambulancës, një automjet të ndaluar tip ‘BMW’, me ngjyrë të zezë.

Ku shquan një person të maskuar, i cili drejton armën e zjarrit ndaj makinës me të cilën ata udhëtonin, i cili siç shikohet edhe nga pamjet filmike qëllon pa mëshirë ndaj tyre, ku sikurse dallohet edhe kamerat e sigurisë, përplasja me armë midis dy grupeve është e ashpër.

Në dëshminë e tij, Julian Meçaj, tha përpara hetuesve, se kishte ndjerë se ishte plagosur në këmbë. Ai tha se i ishte kundërpërgjigjur veprimit të autorëve, duke qëlluar disa herë me armë zjarri.

“Më datë 20.06.2019, në mëngjes rreth orës 09:00 kam shkuar në Portin e Durrësit ku kam qëndruar te bankina e ish-peshkimit me Bashkim Haxhiaj dhe Plaurent Dervishaj.
Më pas kemi dalë nga porti detar nga vendi ‘Ura e Dajlanit’ dhe kemi qarkulluar me automjetin ‘Range Rover’ me targa AA 005 MJ në rrugën e vjetër Rrashbull në Shijak. Në makinë isha me Plaurentin dhe Bashkimin.

Pasi lamë qytetin e Shijakut, ndoqëm rrugën e fshatit Koxhas në lagjen ‘Guza’ dhe më pas kemi shkuar tek prona në ndërtim e sipër e Plaurentit. Aty kam ndjekur punimet dhe rreth orës 13:00 jemi nisur drejt Durrësit. Afër ambulancës së fshatit Koxhas kemi dëgjuar breshëri arme nga përpara makinës.

Për një moment i dhashë gaz automjetit dhe u përplasa në anë të murit të ambulancës me qëllim për t’iu shmangur rrezes së qitjes së armëve të autorëve. Pasi automjeti u ndal u shkëputa nga sedilja e shoferit dhe kalova në sediljen e pasme të automjetit. Më pas kuptova se isha plagosur pasi vura re njolla gjaku në trup”.

Siç shikohet edhe nga pamjet, të njëjtin kundërveprim me armë zjarri ndaj agresorëve, pati edhe nga personi i tretë në makinë, Bashkim Haxhiaj, i cili, pasi mundi të dalë nga makina, ndoqi për disa metra autorët, duke qëlluar në drejtim të tyre.

“Gjatë kohës që isha i shoqëruar me Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj në fshatin Koxhas, ramë në pritë nga persona të panjohur prej nesh.
Në këtë moment unë dola nga makina dhe gjatë largimit ndoqa autorët duke qëlluar me një pistoletë zhurmuese.
Pas ngjarjes mora vetë drejtimin e automjetit ‘Range Rover’ ku dërgova në spitalin e Durrësit të dëmtuarin Julian Meçaj. Gjatë rrugës në autostradë hodha edhe dy armët, pistoletë zhurmuese.
Duke qenë se më pas automjeti ynë pësoi defekt e lashë makinën në vendin e quajtur Rotondo, Kënetë dhe me një makinë rasti dërgova Julian Meçaj në spitalin e Durrësit”.

Siç u dokumentua më pas edhe nga pamjet filmike, pasi Bashkim Haxhiaj dhe Julian Meçaj i plagosur, u larguan nga vendngjarja të dëmtuar, aty mbeti i vetëm Plaurent Dervishaj, i cili, ndërsa qëndron në rrugë, dallohet teksa mban në dorën e djathtë një send në dukje si armë zjarri pistoletë. Në këtë moment në ndihmë i vjen një automjet tjetër i llojit “Range Rover” me ngjyrë të zezë, me të cilin largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Durrësit.

“Isha në mjetin e Julianit i ulur në vendin e parë të makinës, ndërsa në sediljen e pasme ishte Bashkim Haxhiaj.
Unë ula kokën poshtë në kroskot sepse plumbat përshkonin makinën dhe një moment hapa derën dhe u hodha poshtë mjetit, ku të shtënat dëgjoheshin ende.
Më pas u ngrita në këmbë pasi të shtënat mbaruan. Kam lëvizur disa metra dhe pashë që isha gjakosur në këmbë dhe trup. Nuk kam asnjë dijeni për motivet e ngjarjes dhe nuk kam konflikte me asnjë person”.

Sipas grupit hetimor në vendngjarje, në fshatin Koxhas, u gjetën të shpërndara në tokë, 43 copë gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm. Po kështu u gjetën edhe 6 gëzhoja kalibër 9 mm, një aparat telefonik “Samsung”, si edhe disa dokumente pronash, si edhe njolla gjaku. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan nga grupi hetimor automjeti ‘Range Rover’ me targa AA005 MJ, që i përkiste personave të sulmuar. Automjet që u gjet i braktisur në afërsi të rotondos së ish-Kënetës në Durrës, ku u konstatuan dëmtime të shumta në pjesën e përparme të tij.

DOSJA

“Nga pamjet filmike në vendin e ngjarjes rezulton se nga mjeti fillimisht zbret njëri prej autorëve nga dera e parë e pasagjerit, ana e djathtë e makinës. Personi i cili dallohet qartë në pamje mban një maskë të bardhë në kokë, qëndron në pozicion në këmbë, duke mbështetur armën në sup të drejtuar përpara për nga automjeti ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë, me të dëmtuarit.
Në këtë moment automjeti ‘Range Rover’ vjen me drejtim përballë autorëve, nga rruga e fshatit Koxhas-Kodër dhe autori me të konstatuar makinën ‘Range Rover’ në një distancë të afërt hap zjarr me armë kallashnikov në drejtim të makinës.
Më pas mjeti ‘Range Rover’ ecën pak metra përpara dhe humbet kontrollin duke u anuar te muri ambulancës, duke marrë përpara një pemë.
Për një moment personi që po qëllonte me kallashnikov tërhiqet, pasi mund t’i jetë bllokuar arma dhe futet në makinë duke u ulur në sedilje të parë.
Në këtë kohë hyn në sulm personi i dytë i cili është i pozicionuar me bërryl të mbështetur në mur dhe mban fort të shtrënguar kallashnikovin në shpatull.
Pas mbarimit të municionit ai tërhiqet dhe futet në makinë”.

Vetëm pak orë pas ngjarjes policia u njoftua për një automjet të djegur plotësisht, pranë zonës industriale në fshatin Shënavlash. Pamje të cilat janë siguruar për herë të parë nga emisioni ‘Në shënjestër’, ku siç shikohet edhe nga kamerat e një punishte, autorët ndalojnë në rrugë dhe djegin automjetin, ndërsa në ndihmë të tyre vjen edhe një makinë tjetër që i largon nga vendngjarja.

Pas tyre, 30 minuta më vonë, në vendin ku po digjet automjeti i autorëve, shfaqet edhe një makinë policie.
Nga këqyrja e kabinës dhe pjesëve motorike u konstatua se bëhej fjalë për një mjet të tipit “BMW”. Në kabinën e këtij automjeti u gjetën edhe dy armë zjarri kallashnikov. Edhe këto, të djegura plotësisht.

Bazuar në kohën e shkurtër të ndodhur të ngjarjes si edhe karakteristikave të mjetit të djegur, grupi hetimor arriti në përfundimin se ky ishte automjeti që autorët kishin përdorur gjatë atentatit ndaj Dervishaj dhe miqve të tij.

Automjet tip ‘BMW’ 523, me ngjyrë të zezë me targa AA535 PF, që rezultonte i vjedhur më datë 3 shtator 2017 rreth orës 05:00 në parkingun e pallateve “Malajzane” në vendin Kthesa/Tiranë. Pra, afërsisht 18 muaj përpara se të përdorej në atentatin ndaj Dervishaj dhe grupit të tij. Menjëherë sapo policia gjeti automjetin e përdorur në atentat, grupi hetimor nisi krehjen e kamerave të sigurisë në zonë, ku, në bazë të pamjeve filmike të siguruara në vendngjarje, grupi hetimor mundi të shquajë edhe grupin që kreu atentatin. Por edhe një makinë tjetër që i ndihmoi gjatë largimit nga vendngjarja.

DOSJA

“Nga hetimi rezulton se në vend ngjarje për realizimin e atentatit kanë vepruar dhe marrë pjesë si ekzekutor dy persona si dhe një person i tretë në rolin e drejtuesit të mjetit ‘BMW’ me ngjyrë të zezë.
Nisur nga veprimet e autorëve është vërtetuar se në ndihmë të autorëve është vënë edhe një person i katërt, i cili me anë të mjetit ‘Golf 6’ i ka ndihmuar tre autorët e ngjarjes në largim e sipër si dhe ka kryer veprime aktive në djegien e mjetit ‘BMW’.
Gjatë hetimit ka rezultuar se pas djegies së mjetit ‘BMW’ autorët janë larguar me mjetin ‘Golf 6’ në autostradë në segmentin rrugor ‘Tuneli’ fshati Shënavlash-kthesa e rrugës ish-Pularia ‘Florjen’, ku janë shkëmbyer në ecje e sipër me makinë përsëri me të dëmtuarit Bashkim Haxhiaj dhe Julian Meçaj të cilët ishin duke qarkulluar me automjetin ‘Range Rover’ në drejtim të spitalit Durrës”.

Por grupi hetimor kërkoi gjatë krehjes së kamerave të sigurisë edhe sekuestrimin e pamjeve filmike të restorantit ‘Tratoria’ që është në pronësi të Xhemal Muharremit, i cili rezulton të jetë edhe babai i Pëllumb Muharremit, alias ‘Rrumi’ i Shijakut. Ky i fundit, që do të rezultojë se është në konflikt me Plaurent Dervishaj, objektivin e atentatit të dështuar në fshatin Koxhas të Shijakut. Kamera që në fakt rezultuan të ishin jashtë përdorimit.

“Me qëllim për të fiksuar lëvizjet e mëtejshme të autorëve me mjetet e tyre, për të saktësuar hyrjen ose jo në qarkullim në autostradën Sukth-Durrës u kërkua të administrohen pamjet filmike në objektin restorant ‘Tratoria’ në administrim të shtetasit Xhemal Muharremi.
Në përfundim të këtij hetimi në këtë objekt nuk u morën pamje filmike, pasi pronarët e lokalit pretenduan se kamerat ishin jashtë funksionit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb