SHKODËR

Policia e Shkodrës thotë se kanë qenë simpatizantë të PD-së ata që i kanë vënë flakën KZAZ nr.6 të vendosur pranë një shkolle në Bushat, ndonëse PD e mohon.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se në mbrëmje janë mbledhur rreth 200-250 simpatizantë të PD dhe kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të forta. Ndërkohë bëhet e ditur se janë shoqëruar deri tani 9 persona.

Informacion paraprak

Sonte, rreth orës 20:00 janë grumbulluar rreth 200-250 simpatizantë të PD, tek KZAZ nr.6 e cila është ngritur pranë një shkolle në Bushat, Vau i Dejës.

Gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta.

Për pasojë janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit Vau Dejës, që ishin në shërbim. Ata po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër.

Deri tani janë shoqëruar 9 persona dhe vazhdon puna për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë, të përfshirë në ngjarje.

Grupi hetimor i ngritur për çështjen, në bashkëpunim me Prokurorinë po kryen veprime intensive hetimore për vënien përpara ligjit të autorëve dhe drejtuesve të sulmit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb