NGA: Klodiana Lala*TIRANE- Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Armando Prenga, i cili ndodhet prej më shumë se dy muajsh në qeli, pasi dyshohet si një nga protagonistët kryesorë të përplasjes me armë në oborrin e komisariatit të Kurbinit, vazhdon të këmbëngulë për të rifituar lirinë. Pak ditë më parë, nëpërmjet avokatëve të tij, Prenga, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza, më e rënda ajo e “armëmbajtjes pa leje”, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për ndryshim mase sigurie.

Kolegji Penal me relatore Mirela Fanën, ka caktuar masën e “arrestit me burg” ndaj Prengës dhe prej më shumë se dy muajsh ai ndodhet i izoluar në ambientet e burgut të Vaqarit. Të gjitha tentativat e deritanishme të ligjvënësit tashmë të përjashtuar nga Partia Socialiste, kanë rezultuar të pasuksesshme, për shkak se kërkesat e Prengës për ndryshimin e masës së sigurisë janë rrëzuar nga Kolegji Penal. Në këtë kërkesë të radhës, mbrojtësit e Prengës theksojnë faktin, se nga provat e deritanishme nuk rezulton që deputeti të jetë i përfshirë në përleshjen e ndodhur përpara komisariatit të policisë.

Ndërsa, pranojnë faktin se në përballjen që ka pasur në Fushë-Kuqe me Gjok Calin, ai ka qëlluar në ajër me armë me leje, çka sipas tyre justifikon dhe faktin që në duar i janë gjetur faktorët plotësues të qitjes. Pretendimet e deputetit dhe avokatëve të tij do të dëgjohen nga Gjykata e Lartë në seancën e datës 23 nëntor.

PËRPLASJA
Ngjarja për të cilën dyshohet Armando Prenga ndodhi në datat 4 dhe 5 shtator të këtij viti. Sipas prokurorisë, rreth orës 22:30 të 4 shtatorit, deputeti Armando Prenga ka shkuar te lokali i shtetasit Gjok Cali, ndodhur në Lagunën e Patokut, dhe te dera e lokalit është kontaktuar me djalin e tij, Dorian Cali dhe nipin Julian Cali, me të cilët ka debatuar. Dy të rinjtë kanë informuar Gjok Calin për çfarë kishte ndodhur dhe ai ishte nisur në drejtim të lokalit. Rrugës, në Fushë- Kuqe, rezulton se Prenga është përballur me Gjok Calin, ku sipas pretendimeve të këtij të fundit, deputeti ka nxjerrë pistoletën, e ka goditur në kokë me qytën e saj dhe ka qëlluar me të një herë në ajër.

Për këtë ngjarje, Gjok Cali ka njoftuar policinë dhe është shoqëruar nga një makinë e uniformave blu për në ambientet e komisariatit. Gjok Cali ka hyrë brenda ambienteve të tij për të bërë kallëzim penal, ndërsa shtetasit që e shoqëronin kanë qëndruar në pritje të tij, jashtë ambienteve të këtij komisariati. Gjatë kësaj kohe, para komisariatit të policisë ka ardhur deputeti Armando Prenga, i shoqëruar nga vëllai i tij, Edmond Prenga, lidhjet shoqërore, Gazmir Jushi etj. Këta shtetas kanë filluar të konfliktohen fizikisht dhe më pas deputeti Armando Prenga ka përdorur armë zjarri tip pistoletë. Nga të shtënat më pistoletë është plagosur në këmbë Tom Cali. Gjithashtu gjatë këtij konflikti janë përdorur dhe armë të ftohta dhe kanë mbetur të dëmtuar, Gazmir Jushi, Eduart Prenga, Gjergj Cali, Gjok Cali dhe Nikoll Cali.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: