Në rubrikën “Opinion” në News24 është diskutuar lidhur me komisionin hetimor për konçensionet në shëndetësi, ndërsa të ftuar ishin deputetët Petro Koçi (PS), Ilda Dhori (PD), gazetari Almer Toska dhe analisti Ermal Hasimja. Socialisti Petro Koçi tha se edhe ky komision u bë në një farë mënyrë një kopje e një tradite të shëmtuar të komisioneve hetimore në Republikën e Shqipërisë. “Përgjegjësi kryesor i gjithë kësaj katrahurës parlamentare ishte kryetarja e Komisionit, që më duket se e kanë paguar disa të korruptuar që të bëjë këtë katrahurë. Unë nuk besoj se as Ilir Beqaj nuk është engjëll, as Vokshi, as ata që e kanë dhënë konçesnionin dhe as ata që e kanë përfituar nuk janë engjëj”, tha Koçi.
Ndërsa Ilda Dhori tha se ajo që ndodhi në Kuvend, ku Ilir Beqaj, me masë sigurie në arrest, hynte dhe kërcënonte deputetët, nuk është aspak normale. “Ishte një skenar i mazhorancës që të bëhej propagandë, skenari i tyre u zbulua nga opozita. Ne ishim udhëzuar vetëm për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor”, tha Dhori.
Debatet
Petro Koçi: Më kujtohet një frazë, më duket se ka qenë z. Mziu kur i tha një pedagogu që ishte thirrur si dëshmitar: qenke edhe pak mistrec ti. Edhe ky komision u bë në një farë mënyrë një kopje e një tradite të shëmtuar të komisioneve hetimore në Republikën e Shqipërisë. Edhe ky komision ka rezultate, kam përshtypjen që njerëz që duan ti shërbejnë të ardhmes mund të gjejnë dokumente, që nga procedurat e kështu me rradhë. Nuk i shpëtoi asaj traditës që parlamentari të kthehet në një hetues ose prokuror, në fakt duhet të ruajë atë pozicionin e tij, deputet.
Ilda Dhori: Kush ka qenë roli i mazhorancës në Komisionin hetimor
Petro Koçi: Përgjegjësi kryesor i gjithë kësaj katrahurës parlamentare ishte kryetarja e Komisionit, që ndonjëherë më duket se e kanë paguar disa të korruptuar që të bëjë këtë katrahurë. Unë nuk besoj se as Ilir Beqaj nuk është engjëll, as Vokshi, as ata që e kanë dhënë konçesnionin dhe as ata që e kanë përfituar nuk janë engjëj. Ore vlejnë koncesionet apo nuk vlejnë, nëse vlejnë duhen me këto parametra apo ndryshe, a duhet për këto shërbime apo të tjera?
Ermal Hasimja: Rregullat e lojës në një komision hetimor i përcakton Komisioni dhe jo dëshmitari. Kemi parë edhe në Kongresin apo Senatin amerikan që ata që dalin para komisionit, duket sikur dalin para Prokurorit. Nëse Komisioni vendos që do të bëhet kjo listë pyetjesh, apo do trajtohen një sërë çështjes, atëherë dëshmitari duhet të zbatojë atë që vendos komisioni. Duke pasur parasysh statusin e Beqajt ajo vërdallisja në Kuvend nuk ishte normale. Është zoti Beqaj që ishte në dispozicion të Parlamentit, jo anasjelltas.
Almer Toska: Nga ky komision kanë dalë të fituar ata që kanë vjedhur nga sterilizimi dhe check up. Ne presnim të zbardheshin më shumë detaje. Aty ka pasur kakofoni dhe përplasje mes grupeve, nuk i ka shërbyer të vërtetës, as qytetarëve. Pse Vilma Nushi përfitonte të ardhura dhe nga check up dalin meshkuj me barrë, kjo duhej të zbardhej nga Komisioni. Më shumë përgjegjësi ka Albana Vokshi dhe Plarent Ndreca. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, kanë ikur dhe po ikin. Opozita nuk e ka kryer siç duhet detyrën.
Ilda Dhori: Nuk është e hijshme që të kërcënohet deputetja aty, pasi Ilir Beqja i kishte vënë vetes detyrë që të bënte propagandë. Ishte një skenar i mazhorancës që të bëhej propagandë, skenari i tyre u zbulua nga opozita. Ne ishim udhëzuar vetëm për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor.
Petro Koçi: Nuk më shon që të merrem me banalitete, nuk ka nevojë që aty të marrësh ndonjë udhëzim, në çdo rast veprohet sipas rrethanave dhe në një institucion parlamentar, varet shumë nga ai që drejton, pasi ai ka në dorë shumë mekanizma të mbarëvajtjes. Opozita ta kishte lënë Beqjan të mbytej në propagandën e vet, publiku e ka të qartë se çfarë është propaganda.
(BalkanWeb)