TIRANË

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga ana e Kreut të Shtetit.

Kushtetuesja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e kryeministrit, ndërsa ka pushuar gjykimin për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në vendim, Gjykata thekson se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

NJOFTIMI I PLOTE:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ndërkohë, të kontaktuar nga “BalkanWeb”, juristët interpretuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se i ka dhënë të drejtë Presidentit Meta në mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.

“Rasti Cakaj, Gjykata Kushtetuese rrëzon Edi Ramën: Nuk ekziston mosmarrëveshje mes Presidentit dhe Kryeministrit ne rastin Cakaj. Presidenti ka kompetenca vleresuese ne procesin kushtetues te vleresimit dhe emerimit te nje ministri si te aspektit te plotesimit te kritereve qe percakton kushtetuta ashte dhe te meritës. Roli Presidentit nuk është formal. Ai smund te jete noter i propozimit politik te Kryeministrit”, sqaruan juristët.

 

Më tej, ata pohojnë se “Presidenti tregoi luajalitet ndaj Kryeministrit duke e konsultuar atë. Veprimet e Presidentit u pranuan nga Kryeministri kur ai propozoi veten e tij si minister i Jashtëm. Prandaj s’ka mosmarreveshje per te zgjidhur nga Gjykata Kushtetuese”.

Ashtu siç theksonte dhe Gjykata në vendim, juristët shprehen se Presidenti, Kryeministri dhe Kuvendi duhet të veprojnë me luajalitet në emërimin dhe shkarkimin e ministrave, duke shtuar se “Gjykata Kushtetuese i jep te drejte Metes ne mos emerimin e Cakajt si ministër”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb