MAQEDONI- Një incident i armatosur mbrëmë në Strugë i ka marrë jetën një personi, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar, njofton korrespodenti i Kohës Ditore nga Shkupi. Sipas Prokurorisë Themelore të Strugës incidenti ka ndodhur në rrugën rajonale Strugë-Belic.

Njëri nga të lënduarit gjendet për kurim në spitalin e Strugës, ndërsa tjetri për shkak të plagëve të rënda është dërguar për kurim në Shkup. Prokuroria njoftoi se të shtënat kanë ardhur nga një makinë në të cilën kanë qenë disa persona. Informacionet e para thonë se arsyet për ngjarjen janë marrëdhëniet e acaruara midis tyre.

Pas ngjarjes, autorët janë larguar dhe për momentin janë të pakapshëm për organet e rendit. Televizioni Shenja ka dalë me informatë jozyrtare se i vdekuri nga incidenti është 23-vjeçari Fitim Istrefi nga Struga, ndërsa rëndë është plagosur vëllai i tij. Policia ende nuk ka dalë me të dhëna zyrtare për personat e përfshirë në këtë incident dhe viktimën, ndërsa vetëm ka konfirmuar rastin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb