Forcat Speciale dhe policia kanë zmbrapsur me spraj dhe gaz lotsjellës protestuesit para Kryeministrisë. Ndërkohë, situata vijon të jetë e tensionuar, teksa qindra protestues kanë tentuar të hapin dyert e Kryeministrisë.

Ata kanë qëlluar me sende të forta efektivët e policisë, si dhe kanë thyer dyert e godinës, në tentativë për të hyrë brenda, por janë zmbrapsur nga Forcat Speciale, që kanë mbërritur para Kryeministrisë, duke e rrethuar godinën.

Nga protesta raportohet se janë lënduar deri më tani 9 efektivë, të cilët kanë përfunduar në spital. Burime bëjnë me dije për “BalkanWeb” se 4 efektivë dhe 1 protestues janë dërguar te Spitali i Traumës, pasi kanë marrë plagë të rënda.

Policia bën me dije për gazetaren e News24, Klodiana Lala se 5 efektivë policie janë plagosur para kryeministrisë kurse 4 para Ministrisë së Brendshme. Ata kanë marrë goditje në kokë, këmbë e trup.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb