VLORE– Mbledhja e sotme e Këshillit të Qarkut të Vlorës është shoqëruar me debate mes Dritan Lelit dhe Sadrit Danajt. Shkak për këtë, është bërë një propozim i kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që në nisje të mbledhjes, ku ka kërkuar në emër të këshilltarëve socialistë shtimin e një pike tjetër në rendin e ditës.

Përmes kësaj pike, Leli propozoi mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Qarkut Sadrit Danaj, duke kërkuar kështu shkarkimin e tij.

Pikërisht kjo kërkesë është bërë shkak për replika mes Danajt dhe Lelit, e më pas në debat janë përfshirë edhe këshilltarët e tjerë.

Ndonëse të dy, Dritan Leli dhe Sadrit Danaj, janë figura të Partisë Socialiste, kujtojmë se ky i fundit është i propozuar nga Koço Kokëdhima.

Ndërkaq, Ervis Moçka pritet të marrë mandatin e kryetarit të Këshillit të Qarkut.

DEBATET
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha në nisje të seancës: Kërkoj shkarkimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut për mocion mosbesimi.

Por Sadrit Danaj i është përgjigjur: Ju më keni zgjedhur. Kërkesa juaj, e paligjshme.

Teksa Danaj tha se duhet të ndiqet rruga ligjore, këshilltarët e majtë kërkuan të ndryshojë rendi i ditës. Kryetari i këshillit të qarkut, njihet si mbështetës i Koço Kokëdhimës.

“Ke humbur besimin e Partisë Socialiste”, i ka thënë kryebashkiaku Sidrit Danajt.

Danaj më pas iu drejtua Lelit: E ke lënë popullin në baltë bashkë me kulisat e PS.

I pranishëm në sallë ka qenë edhe ministri i Energjetikes, Damian Gjiknuri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb