Zyrtarët e lartë të NATO­-s dhe të Rusisë janë përplasur ashpër lidhur me atë se kush është për t’u fajësuar për përkeqësimin dramatik të raporteve ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Këto akuza të ndërsjella u bënë gjatë Forumit të Brukselit, më 20 mars, që është sponsoruar nga Fondi Gjerman Marshall.

Sekretari i përgjithshëm i NATO­-s, Jens Stoltenberg, tha se është një dallim i madh ndërmjet NATO­-s dhe Rusisë, pasi NATO­-ja “është aleancë mbrojtëse”.

“Ne nuk jemi në situatën e Luftës së Ftohtë, pasi ajo ishte luftë globale ndërmjet dy blloqeve ushtarake. Ishte një luftë ideologjike dhe ne tash nuk jemi atje. Por, po ashtu, ne nuk jemi në ambient bashkëpunues, që ne jemi përpjekur ta krijojmë pas Luftës së Ftohtë”, tha Jens Stoltenberg, cituar nga Evropa e Lirë.

Kryesuesi i Komitetit për çështje ndërkombëtare në Këshillin e Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, kategorikisht mohoi se Rusia po i shfrytëzon trupat e rregullta në Ukrainë.

Ai, gjithashtu, akuzoi aleancën e NATO­-s, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, se këto ditë po flet shumë për nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, kufijtë dhe sovranitetin e vendeve, por në të kaluarën e ka bombarduar një vend sovran, ish­Jugosllavinë në vitin 1999.

“Më 24 mars të vitit 1999, për të parën herë në historinë moderne të Evropës, NATO-­ja e filloi bombardimin e një vendi evropian – në atë kohë një vend integral i Jugosllavisë. I filloi bombardimet, sepse zoti Millosheviq refuzoi të lejojë vendosjen e forcave të NATO­-s në një pjesë të Jugosllavisë. Nëse ju dëshironi të quani diçka okupim të një pjese të një shteti të pavarur evropian, unë do ta përmend rastin e Kosovës”, theksoi Kosachev.

Por, Sekretari i përgjithshëm i NATO­-s, Jens Stoltenberg, tha se “Rusia e ka aneksuar një pjesë të një vendi tjetër”.

“Trupat ruse e kanë kaluar kufirin e fqinjëve të vet. Rusia e ka aneksuar një pjesë të një vendi tjetër dhe kjo është hera e parë që diçka e tillë ka ndodhur në Evropë, me aneksimin e Krimesë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Rusët i kanë trupat në Moldavi, në Gjeorgji, dhe ata po e destabilizojnë pjesën lindore të Ukrainës”, shtoi Jens Stoltenberg.

Lidhur me situatën në Ukrainë, Kosachev tha se Rusia synon “finalizimin e procesit të Minskut”.

“Ne jemi në procesin e Minskut. Ne jemi shumë të interesuar që ky proces të finalizohet dhe ne jemi shumë të pakënaqur kur shohim lidhshmërinë e krijuar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet implementimit të marrëveshjeve të Minskut dhe sanksioneve kundërRusisë, pasi kam frikë se ekziston së paku një vend në Evropë, mendoj në Ukrainën, e cila është në konflikt me Rusinë, që me gjasë, nuk është e interesuar që marrëveshjet e Minskut të implementohen. Për një arsye të thjeshtë, pasi sa më shpejtë që të implementohen, Rusia lirohet nga sanksionet”.

“Jam i frikësuar se së paku forca të caktuara në Ukrainë, do të fillojnë të krijojnë probleme për marrëveshjet e Minskut dhe për procesin e Minskut, vetëm për shkak se ato dëshirojnë ta mbajnë Rusinë nën sanksione”, u shpreh Konstantin Kosachev.

Në diskutim mori pjesë edhe Victoria Nuland, ndihmës-sekretare amerikane e shtetit për çështje evropiane dhe të Euro-Azisë.

“Ajo që ne kemi shpresuar është se Rusia, po ashtu, do të dëshironte të jetonte në një botë ku ju nuk mund t’i ndryshoni kufijtë me forcë; që Rusia do të dëshironte të jetonte në një komunitet ku të drejtat individuale të çdo njeriu respektohen, pavarësisht se kë e duan ata ose çfarë ngjyre ata kanë, ose çfarë besimi ata kanë; atje ku mediat do të jenë të lira; ku ne do të ishim në gjendje të bëjmë marrëveshje me njëri – tjetrin për hapje të tregtisë së lirë me tarifa të ulëta”.

“Kjo është ajo që i lidh Shtetet e Bashkuara me vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO­-n. Kjo është ajo që ishte bazë e gjithë punës që ne e bëmë në vitet e 90­ta dhe vitet në vazhdim për tu përpjekur për të punuar me Rusinë, qoftë nëpërmjet Këshillit NATO­-Rusi, qoftë nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik dhe partneritetit strategjik Rusi­-BE”.

“Por, në kontekst të Rusisë, që nuk është e interesuar në këto rregulla në këtë kurs, ne qartas jemi të kufizuar se sa shumë mund të bëjmë së bashku. Ne ende do të përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi, por ne do ta mbrojmë dhe do të jemi partner me ata që dëshirojnë të bashkohen në këtë përbërje themelore njerëzore”, tha Victoria Nuland.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: