“Lironi të arrestuarit ose do të përballeni me qindra mijëra qytetarë tek dyert e policisë”. Ky ka qenë paralajmërimi që Partia Demokratike i ka bërë policisë dhe shtetit pas përplasjeve të djeshme në KZAZ-në e ngritur në shkollën “Shejnaze Juka”, që çoi në arrestimin dhe shpalljen në kërkim të dhjetëra personave.

Kreu i PD Shkodër, Xhevdet Amuli ka dalë sot në një deklaratë për mediat, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i çon shqiptarët drejt një përplasjeje civile.

“Shërbëtorët e krimit dhe të Edi Ramës i lidhur me krimin dhe korrupsionin arrestuan qytetarë të cilët thjeshte shprehën revoltën e tyre civile ndaj zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit që pretendon qeveria. Qytetarët po përjetojnë një prej situatave më të rënda, shkaku dhe e keqja ka vetëm një emër, ai është kryeministri Rama.
Është ky njeriu që pasi i ka grabitur qytetarët po i shpie drejt një përplasje civile.
Ajo që po ndodh në Shkodër dhe qytetet e tjera është vetëm fillimi i reagimit qytetar ndaj instalimit të diktaturës së re. Zgjedhje më 30 qershor nuk mund të ketë dhe kryeministri nuk duhet të provokohet sepse qytetarët s’do ta lejojnë”, deklaroi kreu i PD Shkodër.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb