Deputeti Agron Shehaj, kreu i partisë ‘Mundësia’ në “Opinion” në News24 tha se Belinda Balluku ka 6 muaj që shmang llogaridhënien në Kuvend.
“Balluku gënjen, gjen justifikime për atë mungesën 6 mujore të llogaridhënies në Kuvend, për të shpjeguar konçensionin 1.3 mld euro”, tha Shehaj, referuar replikave që ka pasur me zv.Kryeministren Belinda Balluku.
Duke komentuar përplasjen me deputetë të opozitës në sallën e Kuvendit, Shehaj tha se si përfaqësues i opozitës i kërkoja Ballukut të shpjegonte vjedhjen e 1.3 mld eurove, ndërsa u largova dhunshëm nga foltorja e Parlamentit jo nga Garda, as nga mazhoranca, por nga opozita.
Shehaj tha se opozita dhunoi një përfaqësues të opozitës mesa duket pasi oligarku që ka marrë atë konçensionin 1.3 mld euro ka lidhje edhe me opozitën.
“Ushtrohet dhunë brenda Kuvendit të Shqipërisë, edhe Garda nuk guxon të dhunojë deputetët. Unë e kam thënë edhe më parë se nuk ka koalicion me PD në zgjedhje. Raporti me PD është ndarë prej kohësh. Nuk ndihem mirë që të shkosh në Kuvendin e Shqipërisë dhe të dhunohesh brenda Kuvendit nga një përfaqësues i opozitës tregon se duan të mbajnë me çdo kusht sistemin, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin”, tha Shehaj.
Ai tha se është hera e parë në këto 33 vjet që një opozitar që denoncon një skandal të Qeverisë, dhunohet nga një përfaqësues i opozitës, nuk dunohet as nga mazhoranca as nga Garda.
Shehaj tha se Flamur Noka shkoi në foltoren e Kuvendit me qëllim për t’i mbyllur gojën. “Flamur Noka erdhi me qëllimin e qartë për të më mbyllur gojën mua që po denoncoja skandalin”, tha Shehaj.