TIRANË

Pas konfliktit të krijuar mes Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Me një reagim të gjatë mbi këtë çështje, Avokati i Popullit ka bërë publike gjetjet paraprake të raportit mbi veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucion ky që bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.


Avokati  i Popullit duket që është në të njejtën gjatësi vale me pretendimet e Metës, i cilii ka pohuar se është ushtruar presion ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky institucion thotë se ka përgatitur padi për veprimet e KED-së në Gjykatën Administrative të Apelit.


Ky institucion thekson se KED-ja dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e Presidentit, Kuvendit apo Gjykatës së Lartë për të përzgjedhur gjyqtarët për në Gjykatën Kushtetuese.  Më tej, Avokati i Popullit thotë se çdo institucion duhet të ushtrojë  funksionet veta të pavarura dhe pa iu imponuar institucioneve të tjera, ndërsa shton se renditja e KED-së për kandidatët nuk është një “fletë rrufe” detyruese për përzgjedhjen përfundimtare.


“Nga ana tjetër, as KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta. Kurrësesi rënditja e KED nuk është detyruese, përveçse kur është rasti i përdorimit të mekanizmit zhbllokues. Por a mund të jetë i justifikuar apo legjitim përdorimi i mekanizmit zhbllokues si qëllim për të kufizuar (madje parapërcaktuar) përzgjedhjen e organeve të emërtesës? Në gjykimin e institucionit të Avokatit të Popullit, çdokush duhet të ushtrojë funksionet e veta si anëtar i një të tëre, i strukturës së shtetit, pa imponuar vullnetin e tij në zgjedhjet që u takojnë organeve të tjera. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi institucional dhe jo e kundërta, janë në themel të Shtetit të së Drejtës dhe jo konflikti i pandërprerë”,-thuhet mes tjerash në reagimin e Avokatit të Popullit.

Për listën përfundimtare me kandidatët e pikëzuar, institucioni i Avokati i Popullit thotë se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara tek Presidenti i Republikës.

“Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proces, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.

Gjithashtu temë tjetër që nënvizon Avokati i Popullit është edhe procesi i vettingut, për të cilin thotë se përplasjet mes institucioneve kanë prodhuar dobësim të madh. Ndë të tjera, AP-ja iu bën thirrje institucioneve shtetërore që të punojnë ngushtë për përfundimin e reformës në drejtësi.

“Pikërisht për këtë arsye jemi të mendimit se puna mjaft e madhe e bërë nga shumë institucione shtetërore, si për proçesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu edhe atë të ngritjes së institucioneve të reja të parashikuara nga legjislacioni i Reformës në Drejtësi, po dobësohet pikërisht nga përplasjet institucionale të ndodhura gjatë proçesit për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”-thuhet në gjetjet e AP.

Gjetjet e raportit paraprak

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb