TIRANË

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Dritan Shano, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, skanoi zhvillimet e fundit politike, por edhe përplasjet e forta mes institucioneve për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se kjo klimë e tensionuar politike nuk është gjë tjetër, por një sherr që në mes ka interesin e pushtetit. Dritan Shano hodhi akuza edhe ndaj qeverisë, ndërsa tha se ajo ka kapur reformën në drejtësi.

“Shpeshherë ne jemi hutuar nga fjala demokraci. Ajo nuk është më e rëndësishme se sa republika në konceptin social. Unë mendoj se nuk ka një republikë. Ajo që po ndodh nuk ka lidhja  me seriozitetin që mund të këtë një republikë. Kjo që po ndodh është një sherr i rëndomtë pushteti, ku përzihen lloj lloj elementësh. Kjo është një estradë dhe nuk ka asnjë lloj serioziteti. Këtë mungesë të madhe të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë e shoh me shqetësim. Këtu ka momente kur mbrohet Kushtetuta. Njerëzit gjykojnë dhe nuhasin. Sot kemi një luftë të egër mes njerëzve që okupojnë institucione të caktuara. Mendoj që parlamenti, qeveria prej kohësh nuk kanë lidhje me drejtësinë dhe Kushtetutën. Reformën në drejtësi e ka bllokuar Rilindja.  Kjo është një luftë kontrolli mes fuqive që kemi prodhuar ne me votën tonë për kush kontrollon drejtësinë. Këtu diskutohet se kush do të kontrollojë të ardhmen dhe sigurinë e shqiptarëve. Kjo është lufta që unë shoh dhe kjo nuk është fare për konceptin e Republikës që kam unë”-tha ai.

Më tej Dritan Shano analizoi edhe arsyet socio-ekonomike, të cilat sollën largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Sipas tij,shqiptarët po largohen çdo ditë pasi nuk gjejnë mundësi veprimi në vendin e tyre.I pyetur se sa është përqindja  e qytetarëve shqiptarë që kuptojnë konceptin e republikës, Dritan Shano analizoi gjatë duke e treguar edhe me përqindjeje:

“84 % e shqiptarëve e kanë  konceptin e republikës. Shqiptarët nuk është se nuk e duan Shqipërinë, por nuk e duan qeverinë. Qeverisja e gjithë këtyre kohërave ka prodhuar këtë situatë që po agravohet, jo vetëm në largimin, por edhe të rritjes së fatalitetit, pra të fitores së vdekjes mbi jetën. Njerëzit ikin jo pse janë të varfër, por sepse nuk kanë mundësi, sepse nuk janë anëtarë partie. Kjo tregon pse-në e lëvizjes nga Shqipëria drejt Evropës, sepse për të jetuar nuk duan të jenë anëtarë partie. Kur ty të zvogëlohen mundësitë e jetës, ti zgjedh  të largohesh. Arsimi dhe shëndetësia vijojnë të jenë me nënfinancim. Ne duhet të investojmë  aty ku nis truri. Unë jam i trishtuar dhe  i mërzitur, por edhe  i “tërbuar”.  Sot s’kemi një dëshirë, sepse nuk jemi të përbashkuar. Ne kemi në 30 vjet një elitë politike që nuk ka prodhuar kushtet për progres në këtë vend. Numri i gjërave të mira të bëra këto vite është më i vogël se i atyre të këqija. Kjo është arsyeja se pse kërcet sot Shqipëria. Unë kam 30 vjet dhe shoh po të njëjtët surretër që paguhen nga taksat e mia. Çdo popull ka dy mundësi; ose daljen jashtë ose të ngrejë zërin. Shqiptarët kanë zgjedhur deriçkën (largimin), dhe jo zërin. Ajo që ka bërë Evropën është prona, ne nuk e kemi bërë këtë. Ne kemi sot një strukturë ekonomike që i ngjan Evropës në vitet 1600-1700”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb