Avokati i Popullit bën thirrje për vetëpërmbajtje pas situatës së krijuar tek Astiri. Avokati i Popullit deklaron se ekipet janë në terren për të dëshmuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi dhe ndërsa bën hirrje për maturi e vetëpërmbajtje.

AP kërkon që autoritetet shtetërore të mënjanojnë konfliktin me qytetarët.

DEKLARATA E PLOTË
AVOKATI I POPULLIT NDJEK NË TERREN SITUATËN TE “ASTIRI” DHE BËN THIRRJE PËR NDALIM TË KONFLIKTIT
Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së sotme në segmentin e Unazës së Re ku janë shënuar përplasje midis banorëve që kundërshtojnë një projekt ende të kontestuar infrastrukturor dhe forcave të rendit.

Ekipe të Avokatit të Popullit ndodhen në terren për të dëshmuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.

Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, i cili prej një muaji ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një raport të veçantë mbi çështjen e Astirit dhe ende është në pritje të përgjigjes, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi, si dhe për garantimin e plotë të të drejtës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut për të kryer detyrën e tyre.

Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët, të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar.

Respektimi i të drejtës qoftë edhe të një qytetari të vetëm duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik pasi nuk mund të ketë interes madhor e të mirë kolektive, të themeluar mbi dhunimin e dikujt tjetër.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrjen autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb