Zëvëndës kryetari i LSI-së, Luan Rama këtë të shtunë teksa ka vizituar Kosovën ka zgjedhur të krahasojë dy vepra infrastrukturore, konkretisht atë të një pjese të autostradës në Grykën e Kaçanikut në Kosovë me autostradën Tiranë-Elbasan.

Ai shprehet se projekti dhe puna në Kosovë po ecë me ritme të shpejta, ndërsa vepra rrugore në Shqipëri ende nuk ka përfunduar, pasi sipas tij, duhen edhe ca miliona të tjerë.  Gjithashtu Luan Rama thekson se edhe pse sot është e shtunë, punimet në pjesën e autorstradës në Grykën e Kaçanikut vijojnë me intensitet të lartë.

Shkrimi i plotë:

Përqasje prej Grykës së Kaçanikut, në Kërrabë para tunelit… Udhëtimi nëpër Kosovë është gjithnjë i bukur. Eshtë befasues dhe emocionues po aq. Sepse gjen përherë pika takimi me historinë prej lashtësisë dardane e deri në kohën tonë me lavdinë e luftës së UÇK-së, të cilat janë referenca të krenarisë kombëtare.

Por gjen edhe shembuj të shumtë të punës së përditshme që të imponojnë admirim dhe respekt. E pikërisht, një nga këta shembuj dua ta ndaj me ju të dashur lexues. Konkretisht e kam fjalën për atë pjesë të autostradës që po ndërtohet në Kaçanik dhe që është segmenti i fundit që lidh Prishtinën me kufirin që ndan Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Teksa udha kalon mespërmes Grykës së Kaçanikut, nuk mund të mos të të bëjë përshtypje gjarpërimi i saj përmbi shtratin e lumit, një zgjidhje e mençur e arkitektëve, që me veprën që po ndërtohet, i shtojnë historisë dhe  bukurisë së grykës së famshme një vepër madhore të infrastrukturës rrugore pikë së pari, po edhe një vepër arkitekturore dinjitoze, një vepër arti në kuptimin e plotë të fjalës.

E ndërsa udhëtoj nëpër Grykën e Kaçanikut, teksa shoh me admirim punën që bëhet për ta kryer këtë vepër të rradhës të qeverisë së Kosovës, nuk mund të mos kujtoj e të krahasoj me të, autostradën tonë që rreket prej mbi 7 vjetësh të lidhë në rreth 30 kilometër Tiranën me Elbasanin, dhe ende nuk ka përfunduar! Jo vetëm, por nuk di njeri të thotë se kur do të mbarojë e sa e sa miliona euro të tjerë do të gllabërojë! Edhe një përqasje tjetër; në autostradën që po ndërtohet në Grykën e Kaçanikut, përgjatë gjithë gjatësisë së saj në afro 10 kilometër, gjithkund punohet edhe sot që është e shtunë. Ndërsa po të shkosh sot e të shikosh në autostradën që po ndërtohet në Kërrabë para tunelit, e merr vesh që në Shqipëri është ditë pushimi. Pushim sot, pushim nesër, pushim edhe pasnesër! Pastaj gjatë javës, edhe mund të të ndeshë syri ndonjë punëtor gjëkundi!

Por, nuk po zgjatem më tej. Shikoni fotot nga Gryka e Kaçanikut në Kosovën tonë dhe gjykoni vetë…

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: