Më qëlloi dje rastësisht në një kafene të kap një bisedë plot ngjyrë të dy bashkëqytetasve të mi: “A e din”,-i drejtohej më i moshuari tjetrit, me pasion dhe me zë të lartë, pa u shqetësuar se e dëgjonin të gjithë aty rrotull, ”Rama dhe Lleshaj e kanë organizuar grabitjen në Rinas. Po, ore po. Kjo bo mu, a s’e kupton? Janë 6 milionë e gjysmë euro, o vlla! Punë sekondash, kanë vjedh si nëpër filmat e Hollivudit. Fiks aq pare u duhen për fushatë në qershor, për zgjedhjet. Shtatë milionë euro na kushton fushata, ka thënë Saje qorri(i referohej ish-ministrit të brendshëm). Dhe ja ku dolën!”. Unë me një shokun tim që ishim ulur aty ngjitur pamë njeri-tjetrin në sy, por nuk folëm. Grabitja e 9 prillit në Rinas në barkun e avionit tek ne ka ndezur përfytyrimet e qytetarëve të thjeshtë. Hamendësimet, të ushqyera bollshëm nga një propagandë e shfrenuar partiake, janë nga më të bollshmet. Zgjerimi i rrethit të të përfshirëve në grabitje në Elbasan dhe Fushë-Krujë nuk i ka zbehur aspak teoritë kospirative të qytetarëve. Madje ka edhe gazetarë që duken të bindur se shteti ka dorë në të(?!). Edhe pse çfarëdolloj segmenti shtetëror që mund të përfshihej(Ministria e Brendshme, policia, SHISH, SHIK e me radhë), të vetmin interes në vjedhje do ta kishte patur të mos ishte grabitja kaq spektakolare. Pra, të punësuarit në shtet të vidhnin butë-butë, komodë, pa shkëmbim zjarri me policinë. Kushdo që nga shteti do të donte të planifikonte një vjedhje të tillë, do ta kishte bërë jo në stilin hollivudian.

Pse kush punon në shtet, e di mirë që nuk kapet kur vjedh pa zhurmë. Zhurma, spektakli me grabitje, është armiku numër një i vjedhësit nga brenda shtetit. Dhe sigurisht që ata në segmentet e shtetit që mund të ishin përfshirë, i kishin të gjitha mundësitë ta bënin grabitjen pa zhurmë. Kush punon në shtet, di si ta bëjë këtë gjë. Prandaj është armata e të korruptuarve tanë në zyrat e Shtetit. Megjithatë, armata mediatike baltëhedhëse, e gatshme për veprim solli skenarë të prodhuara nga mendje të sëmura dhe haluçinante(që fantazinë e tejskajshme e marrin për realitet). Dhe kështu u politizua deri në rrënjë të flokëve edhe grabitja e shekullit. Dora e shtetit në një grabitje keqbërësish të rëndomtë, edhe pse mirë të organizuar, ngjan më shumë me përrallat e 1 prillit. Mirëpo, armata e “shpif, shpif se diçka ngelet” i hodhi katapultat e radhës. Dhe me politizimin e ngjarjes, rritet dëmi që i bëhet sistemit tonë bankar. Ngrihet një imazh i rremë sikur bankat janë vegla dhe masha të politikës së sotme (sidomos të qeverisjes). Sikur shteti mund fare lehtë të vërë dorë mbi depozitat e qytetarëve që administrohen nga bankat tregtare në vend, sa herë ai është i aftë të lidhet me bandat kriminale. Kjo fantazi e sëmurë dëmton sigurinë e sistemit tonë bankar dhe politika, për interesat e saj dritëshkurtra, po tregohet fare e papërgjegjshme. Guvernatori i bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë bëri mirë që sqaroi se siguria e vlerave monetare i takon sistemit për sa kohë këto vlera qëndrojnë brenda tij, pra tek bankat tregtare. Kur vlerat monetare, paratë lëvizin, siguria është përgjegjësi e institucionit që garanton lëvizjen e tyre. Prej këtej, është mirë të kuptohet që grabitja në bark të avionit nuk ka të bëjë me sa i sigurtë apo i pasigurtë, sa i mbrojtur apo i pambrojtur është sistemi ynë bankar. Ai, sikurse e theksoi edhe vetë Guvernatori i BSH-së është i sigurtë, pse i mirëkapitalizuar(shprehje për të thënë se bankat janë plot me para. Dhe vërtetë ashtu janë, pse mbajnë 7.9 miliardë euro depozita të qytetarëve tanë). Kuptohet që kur vjedhjet dhe grabitjet e parave të bankave shtohen në numër dhe raste, sistemi bankar preket edhe ai. Për momentin, grabitja e shekullit ka dëmtuar imazhin tonë si vend i sigurtë për investime dhe për këtë, duhet të shqetësohemi e të punojmë që të gjithë, si institucione dhe opinion publik dhe media, që të japim kumtet e një vendi të sigurtë, sikurse realisht jemi. Grabitjet e stilit hollivudian, të amplifikuara nga politika, vetëm sa na dëmtojnë në interesin tonë kryesor, në rritjen e pranisë së investimeve të huaja tek ne. Për këtë duhet të punojmë, dhe jo për të ushqyer fantazitë e sëmura, qoftë edhe të politikanëve tanë. Sa për qytetarët, ata është e natyrshme të kenë skenarë hipotetikë, duke u ushqyer çdo ditë nga propaganda e sëmurë e partive tona të papërgjegjshme politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb