Një aksident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor kombëtar Përrenjas-Librazhd, ku janë përfshirë katër pjesëtarët e një familjeje.

Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur “Kthesat e Pishkashit”, ku një makinë ka dalë nga rruga dhe, pasi është rrokullisur 30 metra, ka përfunduar në rrjedhën e përroit të Lingajacës, që është degë e Lumit Shkumbin.

Burime zyrtare njofton se në aksident është përfshirë një autoveturë e llojit “Volswagen”, me targa AA035UP, i cili ka dalë nga rruga për shkak të motit të keq. Ka qenë rastësia e punonjësve të zjarrfikësve të Përrenjasit, të cilët po ktheheshin nga një mision, kur kanë parë automjetin, që ka dalë nga rruga.

Ata kanë ndërhyrë në kohë rekord, duke nxjerrë katër pjesëtarët e familjes, ku më e dëmtuar ka qenë nëna e dy djemve, e cila është transportuar drejt spitalit të Librazhdit. Ndërkaq, policia po punon për zbardhjen e rrethanave që shkaktuan aksidentin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb