Marrëveshja e arritur ditët e fundit ndërmjet Londrës dhe Komisionit Evropian mbi daljen e Britanisë së madhe nga BE-ja është bërë molla e madhe e sherrit në politikën britanike; dy vjet pas fitores së ngushtë të Brexit, ajo ka vënë seriozisht në dyshim mbijetesën e qeverisë, të kryeministres Theresa May dhe vetë procesin e daljes (exit) nga BE-ja.

Për ta bërë sa më të kuptueshme analizën tonë, kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të katër blloqeve problematike që evidentohen në 585 faqet e kësaj marrëveshjeje, të cilat nuk mund të « përtypen » e le më të « gëlltiten » nga breksitasit ( leavers) që duan një orë e më parë dhe me kosto minimale largimin nga BE-ja.

Blloku i parë ka të bëjë me periudhën kalimtare nga 19 marsi 2019, kur fillon divorci zyrtar me BE-në deri në fund të vitit 2020. Në këtë hapësirë kohore synohet të hartohet dhe nënshkruhet Marrëveshja Tregtare dypalëshe, e domosdoshme sidomos për Londrën. Mirëpo, përvoja tregon se nënshkrimi i saj brenda kësaj periudhe është i pamundur. Kështu, p.sh., për Traktatin e ngjashëm BE – Kanada u deshën plot shtatë vjet! Për pasojë, periudha kalimtare do të shtyhet për afate të pacaktuara, duke irrituar shumë breksitasit.

Blloku i dytë problematik për breksitasit është se praktikisht Bashkimi Doganor me BE-në do të vazhdojë të funksionojë deri në përfundim të periudhës kalimtare të lartpërmendur. Për pasojë, nuk do të ketë kontrolle doganore në Dover dhe Calais, kufiri me Irlandën e Veriut do të qëndrojë i hapur, etj.

Blloku i tretë dhe më shqetësues për ta është se Britania e Madhe do të vijojë të zbatojë rregullat dhe ligjet e BE-së deri sa të dalë përfundimisht prej saj, që siç u përmend më lart, mund të vijojë me vite të tëra. Kjo do të thotë që vendet anëtare të BE-së do të vijojnë si deri tani të mbështesin dhe nxitin me ndihma dhe subvencione eksportet, kompanitë e tyre të biznesit, produktet bujqësore, etj. në gjithë Evropën, sikur Brexit të mos ekzistonte fare.

Për më tepër, Londra do të vijojë të shlyejë detyrimet financiare ndaj BE-së që shkojnë në mbi 50 miliardë euro në vit.

Blloku i katërt dhe i fundit pengues është krijimi i një Komiteti të Përbashkët me ekspertë nga të dyja palët, i cili do mbikqyrë dhe vendosë për ecurinë e mëtejshme të proceseve/procedurave të lartpërmendura të daljes nga BE-ja. Ky Komitet do të vendosë për zgjatjen e periudhës kalimtare dhe nëse janë krijuar kushtet për daljen prej BE-së.

Kjo i ka shqetësuar së tepërmi breksitasit të cilët donin që ky komitet të përbëhej vetëm nga britanikët. Ndaj, sipas tyre, Britania e Madhe dhe pas Brexit do të jetë “quasi” pra pothuajse anëtare e BE-së, duke zbatuar dispozitat e saj ligjore edhe pse pa të drejtë vote! Shkurt, për ta Londra do të vazhdojë kush e di për sa kohë të jetë vasale dhe nën “hyqmin” e Brukselit!!

Janë pikërisht këto fakte dhe faktorë që gjatë ditëve të fundit kanë tensionuar në kulm marrëdhëniet e kryeministres Thereza May me Kabientin qeveritar dhe sidomos me Parlamentin britanik, opozitën, etj. Disa ditë më parë, Ministrja e Punës dhe Sekretari i Shtetit për Brexit, Dominic Raab dhanë dorëheqjen në shenjë proteste. Megjithatë, fronti i vërtetë i betejës mbetet Dhoma e Ulët ku ky projekt do të votohet në muajin dhjetor.

Në këto kushte, politika, qeveria dhe sidomos kryeministrja May po ballafaqohen me një gjendje tejet kritike dhe me pesë skenarë të zymtë, njeri më dramatik se tjetri. Siç mund të shihet më poshtë, këta skenarë me plot të panjohura mund ta vështirësojnë, vonojnë e ndoshta ta bëjnë të pamundur « exit » pra daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Dorëheqja e kryeministres May dhe zëvendësimi i saj me një nga mbështetësit e « betuar » të Brexit, si ish-ministri i jashtëm Boris Johnson, apo ish-sekretari i Shtetit për Brexit Dominic Raab, etj do të shtronte nevojën e bisedimeve të reja me BE-në që vetëm se do të zgjatnin dhe më shumë procesin me të papritura të tjera, ndoshta dhe më problematike; ndaj dhe May në prononcimet e saj zyrtare dhe publike nuk pranon të japë dorëheqjen, duke e mbrojtur me pathos projektin e saj, si alternativën më të mirë për të dalë nga BE-ja; gjithë të tjerat sipas saj nuk të çojnë askund.

Po aq problematik është dhe votëbesimi i kryeministres May në parlamentin britanik. Ajo kryeson një qeveri pakice dhe mbahet vetëm me votat e nacionalistëve të DUP të Irlandës së Veriut që janë të pakënaqur me këtë projekt. Por dhe vetë brenda konservatorëve britanikë ka shumë kundërshtarë të këtij projekti, duke e bërë shumë të mundshëm mosbesimin ndaj Kryeministres May. I vetmi hezitim në këtë mes është frika nga zgjedhjet e reja, ku mund të fitojnë laburistët që, gjithashtu, e kundërshtojnë këtë projekt.

Skenari tjetër drithërues për konservatorët janë zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të fitohen nga laburistët pas shumë viteve në opozitë. Por dhe ajo nuk është shumë e interesuar për këto zgjedhje, pasi ka shumë kundërshtime të brendshme ndaj liderit 70 vjeçar majtist Jeremy Corbyn. Veç kësaj, dhe laburistët nuk kanë ndonjë alternativë më të mirë se kjo e sotmja.

Skenari i katërt i daljes nga ky qerthull mbetet rishikimi me ndryshimet përkatëse në bashkëpunim me BE-në në të katër blloqet e lartpërmendura; mirëpo kjo e fundit, siç u pa dhe në takimin e ministrave të saj të financave këtë javë në Bruksel, me përjashtim të ndonjë lëshimi kozmetik apo kortezie nuk ka ndërmend të lëshojë « pe » as në Samitin e posaçëm të 25 nëntorit për Projekt Marrëveshjen e « divorcit» me Britaninë e Madhe; ky fakt e ndërlikon më shumë këtë situatë dhe alternativë.

Skenari i fundit i mundshëm është përsëritja e referendumit për Brexit. Kërkesat për këtë janë shtuar, ka një peticion me mbi një milion firmëtarë, duke përfshirë ish-kryeministrin emblematik Tony Blair.

Por, përsëritja e këtij referendumi brenda dy apo tri vitesh pas të parit do të krijonte një precedent të keq demokratik në të ardhmen dhe do të krijonte turbullira politike masive nga ana e mbështetësve të Brexit. Rreziku dhe pikëpyetja tjetër e madhe është se çdo të ndodhë nëse dhe në referendumin e dytë fiton sërish “Brexit” si do të vijohet më tej?

Nga këto zhvillime post Brexit dalin katër përfundime dhe mësime madhore që i kalojnë kufijtë e Britanisë së Madhe dhe të BE-së. E para, kujdesi lidhur me referendume për çështje të tilla të ndërlikuara ku kërkohet thjesht një « Po/ Jo » ose « të qëndrojmë apo të dalim nga BE-ja » ( leave or remain) Së dyti, këto referendume duhet të paraprihen dhe shoqërohen me një diskutim të gjerë e të gjithanshëm politik dhe publik, me analiza tërësore mbi kostot dhe përfitimet shumëplanëshe. Ndryshe do të ndodhë si me shprehjen tonë : « hidh një lek të hysh në valle, fut 100 por s’del dot fare » Së treti, me gjithë kritikat dhe mangësitë e njohura për të cilat BE-ja është e vetëdijshme dhe ndodhet në procesin e reformimit të saj tërësor, siç po nënvizohet në median e huaj, « është më mirë të qëndrosh brenda BE-së, sepse jashtë saj është shumë më ftohët »

Për pasojë, dhe ndonjë vend tjetër që mund t’i shkojë ndër mend të dalë nga BE-ja, tani e tutje do t’i duhet të mendohet mirë. Në kushtet e sotme të globalizmit, asnjë shtet kombëtar dhe nacionalist, sado i madh dhe i fuqishëm, nuk mund të trajtojë dhe ca më pak të zgjidhë pa bashkëpunim shumëpalësh sfida dhe fenomene të tilla planetare, si ngrohja globale, mbrojtja e mjedisit, krimi i organizuar, kriza e azilit, terrorizmi ndërkombëtar, mashtrimi financiar, etj.

Së fundi, dhe jo më pak e rëndësishme, fakti që Brexit, fitorja e tyre e parë nuk po gjen dot dyert e daljes nga Brukseli është ogur i keq për forcat populiste, ekstremiste dhe euroskeptike, dështimi i të cilave me siguri është thjesht çështje kohe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb